ELBASAN, 07 mars 2013 – Dy aksidente të rënda kanë ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin kombëtar kombëtar Elbasan –Tiranë. 

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Elbasanit, rreth orës 05.00 të mëngjesit të sotëm në vendin e quajtur “Ara e Sollakut” në Kthesat e Qafë Krrabës, një autoveturë tip benz me targa EL 18 59 B, e drejtuar nga shtetasi Spiro Geleci, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë duke u rrokullisur për rreth 30 metra. 

Automjeti u konstatua nga patrulla e policisë rrugore e cila po inspektonte qarkullimin në këtë aks.

Gjatë kontrollit të makinës është konstatuar se në këtë automjet ndodhej vetëm drejtuesi i tij, i plagosur në gjendje të rëndë.

Ai është transportuar me urgjencë në spitalin e Elbasanit dhe sipas mjekëve gjendja e tij është kritike. 

Ndërkaq në vendin e quajtur Çezma e Kasinies është regjistruar një tjetër aksident.

Dy automjete janë përplasur mes tyre, duke pësuar dëmtime të rënda ndërsa dy persona kanë mbetur të dëmtuar lehtë. 

Në të dyja aksidentet policia paraprakisht dyshon se shkaku kryesor ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit nga ana e drejtuesve, si dhe lagështira në rrugë.