Policia Rrugore në Durrës ka arrestuar në flagrancë dy drejtues mjeti, të cilët nën efektin e alkoolit, kanë shkaktuar dy aksidente.
Rasti i parë është shënuar në lagjen nr. 14, ku u arrestua Jashar Skeja, 64 vjeç, banues në Durrës. Duke drejtuar mjetin tip Benz me targa DR 1880 E, ai është përplasur me mjetin tip Volsvagen me targa AA 980 KZ. Për pasojë, ka pasur vetëm dëme materiale. Nga kryerja e testit të alkoolit, rezultoi në masën 0.81mg/l.
Rasti i dytë është regjistruar rreth mesditës së djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, në vendin e quajtur “Mbikalimi i tregut të makinave”, ku u arrestua Vangjel Ismajlaj, 45 vjeç, banues në Sukth i Ri. Duke drejtuar mjetin tip BMV X6 me targa AA 355 JR, 45-vjeçari ka goditur dy mjete të tjera tip Volsvagen dhe Ford.
Nga burime të policisë, mësohet se si pasojë, kanë marrë dëmtime të lehta pasagjerët në mjetin Volsvagen, shtetasit F.M. 19 vjeçe, banuese në Kamëz dhe A.P. 19 vjeçe, banuese në Laknas, Tiranë.
Nga kryerja e testit të alkoolit, shtetasit Ismajlaj ka rezultuar në masën 0.80 mg/l.





