Dy aksidente me pasojë plagosjen e tre personave, dy prej të cilëve të mitur, janë regjistruar në Durrës ditën e hënë.
Dy të mitur të moshës 14 e 17 vjeç kanë përfunduar në spital, pasi automjeti ku ata ishin pasagjerë, doli nga rruga. Rasti në fjalë ka ndodhur në Porto-Romano, ku drejtuesi i makinës tip “Ford” ishte shtetasi D.K., vjeç 26, banues në fshatin Shënavlash.
Ai ka dalë nga rruga, e për pasojë janë aksidentuar shtetasit S.V., dhe S.V., vjeç 17 e 14, banues në fshatin Shenepremte, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Aksidenti i dytë ndodhi në fshatin Shkallnur, ku shkaktar ishte një drejtues automjeti që po drejtonte i dehur. Shtetasi S.Gj., vjeç 46, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Renault” pa targë, është përplasur me mjetin tip “Benz”, të drejtuar nga shtetasi K.M., vjeç 23, banues në Durrës. Për pasojë është aksidentuar 46-vjeçari S.Gj., i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për të dyja rastet.





