Fushë – Krujë / Korçë, 18 prill 2014 – Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur sërish nga dy aksidente të rënda të regjistruara gjatë mbrëmjes së sotme në Fushë Krujë dhe Korçë. Aksidenti më tragjik ka qenë ai i regjistruar në qytetin juglindor, i cili u shoqërua me dy viktima.
Aksidenti në Fushë Krujë
Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë mbrëmjen e sotme në një aksident rrugor. Aksidenti ka ndodhur në aksin Fushë-Krujë, ku tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Sipas informacioneve, në aksident janë përfshirë mjeti tip “Peugeot”, me targa AA212GP, furgoni tip “Sprinter”, me targë KR4700A dhe mjeti tip “Ford Focus”, me targa KR8266A.
Mësohet se njëri prej të plagosurve në aksident, Besnik Murri është në gjendje kritike për jetën. Policia po heton për të zbardhur dinamikën e aksidentit të rëndë.
Aksidenti në Korçë
Ndërkohë një tjetër aksident i rëndë është regjistruar në qytetin e Korçës. Dy gra janë aksidentuar për vdekje mbrëmjen e sotme në qytetin juglindor nga një automjet, i cili, pasi ka shkaktuar përplasjen, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Gratë e moshuara po kalonin rrugën në unazën e qytetit kur janë goditur në mënyrë fatale nga automjeti që u shkaktoi vdekjen.
Policia ka mbërritur në vendin e aksidentit dhe ka identifikuar autorin vetëm pak minuta më pas. Policia ka arritur të prangosë 18 vjeçarin Marjo Pajo, shkaktarin e aksidentit tragjik që u mori jetën dy të moshuarave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





