Një person ka humbur jetë dhe tetë të tjerë janë plagosur brenda pak minutave në dy aksidente në Korçë dhe Peqin.
Dy automjete u përplasën në afërsi të fshatit Leshnicë në Korçë, ku si pasojë u plagosën 5 persona, njëri prej të cilëve ndërroi jetë pak minuta më vonë, ndërsa 4 të tjerë u transportuan në spital.
"Më datë 15.09.2019, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Leshnicë, ka ndodhur një aksident automobilistik, ku janë përplasur mjeti tip "Golf", me mjetin tip "Benz" me drejtues shtetasin D.H. Për pasojë, ka ndërruar jetë, drejtuesi i mjetit tip "Golf" dhe janë transportuar në Spital për mjekim 4 shtetas, ndër të cilët tre pasagjerë të mjetit tip "Golf", si edhe drejtuesi i mjetit tip "Benz", shtetasi D.H, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve", sqaron policia.
Ndërkohë në aksin Elbasan-Peqin si pasojë e përplasjes së dy makinave u plagosën 4 persona.
"Në fshatin Pajovë, Peqin është përplasur mjeti tip "Benz" me mjetin tip "Foristrad" dhe pasojë janë aksidentuar drejtuesi i mjetit "Benz" shtetasi Xh.Q.,57 vjeç, banues në Lushjë, dhe tre pasagjerët shtetasit M.Q., 53 vjeçe, S.K., 58 vjeçe dhe B.K., 62 vjeç, të cilët janë transportuar në Spitalin e Elbasanit, dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve", thuhet në njoftimin e policisë.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Elbasanit. Ndërsa po punohet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë paraditen e kësaj të diele një 13-vjeçare humbi jetën, pasi makina e drejtuar nga i ati doli nga rruga dhe u përplas me trafikndarësen në Rrugën e Kombit.





