Dy aksidente të tjera në autostradën Tiranë-Durrës janë regjistruar pasditen e sotme.

Dëshmitarë në vendngjarje, që kanë sjellë në redaksinë e DurrësLajm fotot nga dy aksidente rrugore bëjnë me dije se përplasja mes mjeteve ka ndodhur në segmentin Vorë-Marikaj.

Edhe në këto dy aksidente, shkak për përplasjen është bërë gjendja tërësisht e amortizuar e autostradës Tiranë-Durrës.

Fatmirësht nga dy aksidentet ka vetëm dëme materiale dhe jo të lënduar.

Më herët, gjatë ditës, DurrësLajm raportoi për një tjetër aksident të frikshëm në afërsi të Maminasit.

Megjithëse po rrezikon jetë njërëzish çdo ditë dhe po nxjerr jashtë përdorimit automjetet që kalojnë nëpër të, rikonstruksioni i autostradës duket ende larg, pasi drejtori i ARRSH-së pati deklaruar kohë më parë se ishin në pritje të një marrëveshje me Bankën Botërore për akordimin e parave të nevojshme për rikonstruksionin e segmentit në fjalë.