Një incident diplomatik është shënuar në konferencën e organizuar nga qeveria, për amnistinë fiskale, ku kryeministri Rama është treguar i pakursyer me kritikat e tij në drejtim të dhomës amerikane të tregtisë, dhe të gjithë të huajve që janë kundërshtarë të kësaj nisme.

Kanë qenë ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe homologu i saj gjerman, Peter Zingraf që kanë lënë pa fjalë kryeministrin Edi Rama, pasi e kanë braktisur konferencën në momentin që kreu i qeverisë ka nisur të flasë.

Barsacq dhe Zingraf ishin të ulur në rreshtin e parë të të ftuarve në takimin e organizuar nga qeveria për amnistinë fiskale dhe kanë dëgjuar të flasë ministren e Financave, Delina Ibrahimi, zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe një ekspert nga Britania e Madhe, të cilët shpjeguan  specifikat e ligjit dhe përfitimet nga nisma e qeverisë.

Menjëherë sapo Rama ka marrë fjalën, dy ambasadorët shihen duke lënë sallën, ndërkohë që veprimi ka lënë për disa sekonda të heshtur dhe vetë kryeministrin.

Nuk dihet ende se çfarë i ka shtyrë dy ambasadorët e rëndësishëm që të largohen në këtë mënyrë nga takimi.