Edicioni i 14-të të Festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës që po zhvillohet në Durrës ka vijuar mbrëmjen e kaluar me koncertin e Duos nga Spanja.

David Martin në violonçel, i shoqëruar në piano nga Miguel  Angel Ortega Chavaldas interpretoi me mjeshtëri një sërë veprash nga kompozitorë mjaft të njohur.

Vetëm 24 vjeç, shumë i talentuar dhe me një teknikë të lartë profesionale, David Martin solli për dëgjuesit dy Sonata nga Ludvig Van Beethoven (1770-1827) dhe nga Sergey Prokofiev (1891-1953).

Artistët spanjollë mjaft të vlerësuar për karrierën e tyre muzikore, në pjesën e dytë të programit interpretuan “Shtatë këngë popullore”, kompozuar nga Manuel de Falla (1876-1946). Më pas ata luajtën intermezzo nga opera “Goyescas” të kompozitorit Enrique Granados.

Shikuesit e shumtë në sallën e muzeut arkeologjik të Durrësit duartrokitën gjatë lojën e instrumentistëve nga Spanja të cilët u kthyen përsëri në skenën e improvizuar me “Dance of the elves” nga Popper.

Festivali ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës që organizohet nga Nevila Kalaja, do të mirëpresë edhe tre koncerte të tjerë me instrumentistë nga Italia, Austria dhe Shqipëria.