Kënga “Në rërë vizatoj" me muzikë të kompozitorit Ylli Ramzoti, tekst të Agim Bajramit, interpretuar nga Violeta Beshiri ka fituar çmimin e parë të festivalit të Këngës për fëmijë në Durrës.
Në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” u zhvillua finalja e festivalit të këngës për fëmijë “Tingujt e Adriatikut”. 18 këngët e përzgjedhura për këtë natë përcollën emocione duke u duartrokitur gjatë nga publiku.
Ky është edicioni i 33-të i këtij festivali që zhvillohet çdo fundviti në qytetin bregdetar, duke ulur siparin e aktiviteteve të organizuara nga QKF për këtë vit nënvizon shefi i sektorit të artit pranë këtij institucioni, Çlirim Kume.
220 ishte numri i fëmijëve që përformuan në skenë. Përveç solistëve që u bënë pjesë e garës, këngët u shoqëruan edhe nga kori. Njëherësh u interpretuan edhe disa numra koreografike, që i dhanë gjallëri festivalit.
Në garë, si çdo vit, ishin edhe miq. Kësaj here ata kishin ardhur nga Bullgaria, Prishtina dhe Struga.
Pjesëmarrja e disa prej kompozitorëve me emër, të krijimtarinë muzikore për fëmijë, është një tregues i seriozitetit të këtij aktiviteti.
Në përfundim të interpretimit të 18 këngëve konkuruese, nga juria u shpallën dhe çmimet. Fituese u shpall kënga "Në rërë vizatoj" me muzikë të kompozitorit Ylli Ramzoti, tekst të Agim Bajramit, interpretuar nga Violeta Beshiri.