Dy artistët kontemporanë shqiptarë Helidon Xhixha dhe Alfred Mirashi Milot janë nderuar së fundmi në Wuhan të Kinës duke marrë çmimin e karrierës, një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për dy skulptorët tanë, por gjithashtu edhe për kulturën e artin shqiptar dhe atë italian gjithashtu. Ata janë vlerësuar me çmimin prestigjioz të karrierës, duke krenuar kështu Shqipërinë ku ata u lindën dhe Italinë ku jetojnë.
Pasditen e 29 tetorit u mbajt në Muzeun e Artit të Wuhan (Pavilion Qintai), ceremonia madhështore e artit e Bienales së Wuhan 2024, ku tre artistë, dy prej të cilëve shqiptarët e nderuar dhe artisti kinez Fu Zhongwang morën çmimin për arritje jetësore, nderin e “Çmimit të Kontributit në Bienalen e Wuhanit”.
Gjatë ceremonisë artistike me përmasa gjigande u mbajt edhe një simpozium akademik me temë “Rruga Kineze e Bienales”. Shumë ekspertë, studiues dhe artistë në fushën e artit u mblodhën për të diskutuar tendencat më të fundit të artit bashkëkohor ndërkombëtar dhe për t’u fokusuar në hijeshinë unike dhe karakteristikat e reja të zhvillimit të Bienales së Wuhan-it.
Kjo arritje tjetër e madhe në skenat ndërkombëtare, thekson edhe njëherë fuqinë e këtyre dy artistëve shqiptarë që shquhen për veprat e tyre të jashtëzakonshme të skulpturave monumentale në përmasa globale.
Alfred Mirashi Milot dhe Helidon Xhixha morën vlerësime, dhe gëzuan të drejtën që skulpturat e tyre konceptuale të jenë përgjithmonë të vendosura përballë muzeut gjigand të qytetit Wuhan, duke tërhequr kërshërinë e miliona personave.
Artistët fitues u ftuan gjithashtu edhe ne dy universitetet, atë të Beijing e Jinan, për artet publike, ku ata folën për përvojat e tyre personale, për rrugëtimin krijues, për sfidat artistike dhe vlerësimin që iu rezervua atyre, duke pasur veprat para muzeut më të madh të artit në Wuhan.
Ajo që mbetet për t’u vlerësuar dhe nënvizuar, është fakti se dy artistët shqiptarë, Alfred Mirashi nga Miloti dhe Helidon Xhixha nga Durrësi, përfaqësuan në Kinën e madhe të traditave, të kulturës dhe artit, Italinë, atë që u bë për ta atdheu i dytë dhe realiteti i ëndrrave të tyre artistike/profesionale.
Artistët Xhixha e Milot janë autorë të shumë veprave, pjesë e koleksioneve të shumta të rëndësishme në muze, Panaireve të Artit dhe ndërtesave publike në mbarë globin.
“Urban Fluidity – 2024 Wuhan Biennale”, i sponsorizuar nga Muzeu i Artit Wuhan nën drejtimin e Departamentit të Publicitetit të Komitetit Komunal të Wuhan CPC dhe Byrosë Komunale të Kulturës dhe Turizmit në wuhan, është ekspozuar në pavijonin Qintai dhe pavijonin Hankou të Muzeut të Artit Wuhan. Ekspozita bashkon më shumë se 200 vepra nga mbi 140 artistë nga vende ndërkombëtare. Nuk është vetëm një ngjarje e artit bashkëkohor të klasit botëror, por edhe një manifestim i përqendruar i vitalitetit të zhvillimit kulturor të qytetit. Që nga hapja e saj më 5 tetor, Bienalja e Wuhan 2024 ka tërhequr audiencë nga vende të ndryshme për të eksploruar botën e artit. Format e punimeve përfshijnë pikturën, skulpturën, instalimet e plota, video dhe media dixhitale etj. Ndërkohë, ai përfshin përzierjen e mediave, zgjerimin e materialeve, aplikimin e teknologjisë dixhitale dhe pjesëmarrjen e inteligjencës artificiale, duke reflektuar fuqishëm evoluimin e koncepteve dhe metodave të të shprehurit të artit bashkëkohor.