Kombëtarja shqiptare dhe ajo e Kosovës kanë arritur të kualifikohen për në fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026. Rastësi është se përcaktues rezultuan dy Asllanët, Kristjan te kuqezinjtë ndaj Andorrës dhe Fisniku në kampin e “Dardanëve” kundër Sllovenisë. Edhe pse mbajnë të njëjtin mbiemër dhe janë të dy shqiptarë, nuk kanë asnjë lidhje bashkë. 

Kristjan Asllani cilësohet si “motori” i Shqipërisë, ku qetësia e lojës, krijimi i “korridoreve” për sulmin dhe mprehtësia në ndjekjen e aksionit apo finalizimi, janë kthyer në thelbësore te Kombëtarja, e vërtetuar kundrejt Andorrës. Nga krahu tjetër, Fisnik Asllani ka një “nuhatje” të frikshme goli, diagonalet e tij janë bërë “makth” për portierët, i aftë të “shkundë” rrjetën në zonën e rreptësisë. Gjasat janë të mëdha që në Botërorin e vitit të ardhshëm të këndohet nga tifozeria shqiptare në SHBA “O sa mirë me qenë shqiptar”.