Plot 300 familje në Shkozet jetojnë nën ujë për pjesën më të madhe të vitit. Dy biznese që ushtrojnë aktivitetin në afërsi të Urës së Dajlanit, vendi ku duhet të derdhet kanali i ujërave të larta në kolektorin e Shkozetit, kanë ngritur nivelin e kanalit dhe pasojat e dëmeve që u kanë sjellë e vazhdojnë t’u sjellin familjarëve të kësaj zone janë të pallogaritshme. Situata e rëndë pranohet nga Bashkia, Qarku dhe Prefektura, por asnjëra palë nuk ka reaguar për të detyruar dy bizneset të çlirojnë rrugën e ujit.

Lagjja

Vetëm pak metër larg nga shkolla 9-vjeçare “Hasan Koçi” në Shkozet dhjetëra familje përballen me hallin e braktisjes së shtëpive. Lagjja është shumë e populluar dhe veç shtëpive që i përkasin periudhës para viteve 1990, janë ndërtuar edhe të reja. Ka në mesin e ndërtimeve edhe lokale e biznese të vogla si dyqane, bar-bufe, restorant, pika tregtimi të sendeve të ndryshme, parukeri, lavazh, reparte të vogla mekanike, shenja të një jetese qytetëse modeste.

Burrat më së shumti janë vetëpunësuar si e ku kanë mundur, kurse gratë një pjesë punojnë në rrobaqepësitë e Shkozetit dhe pjesa tjetër janë shtëpiake. Lagjja shtrihet në të djathtë të rrugës që ndan shkollën 9-vjeçare me shtëpitë dhe vijon deri në thellësi të Shkozetit, atje ku kufizohet me Plazhin. Një vit më parë bashkia edhe në këtë anë të lagjes ka vendosur tabela për adresat e rrugëve dhe shtëpive, por banorët pëlqejnë të thonë se lagja e tyre quhet bregu kanalit në Shkozet.

Saktësisht ata janë vënë deri para pak muajve në mesin e dy kanaleve, kurse tani pritet t’u shtohet edhe një i tretë për t’i izoluar plotësisht banorët në periudhën e reshjeve. Në rastet e ndërtimeve të reja, banorët janë kujdesur të ruajnë drejtimin dhe hapësirat për rrugë me mendimin se do të vijë një kohë për shtrimin e rrugëve, kanalizimet, ndriçimin rrugor, trotuaret. Edhe pse janë jo më shumë se 300 m nga rruga nacionale Durrës-Shkozet-Shijak, shtëpitë e kësaj lagjeje duket se janë lënë pas dorë dhe jashtë çdo vullneti për ta bërë jetesën sa më të qetë.

Vetë banorët jetojnë në harmoni të plotë mes tyre, pasi aty nuk ndodh që të ketë grindje e sherre për rrugën, gardhin, kanalin e ujit e të tilla gjëra. Por në vitet e fundit kanë rënë në pikë të hallit. Fillimisht rruga e pashtruar dhe e errët, tani kanali. Janë shumë shtëpi që vuajnë të njëjtin hall, por ende të pazgjidhur.

Përmbytjet

Rreth 300 shtëpi përmbyten si pasojë e daljes nga shtrati të kanalit të ujërave të larta. Ky shqetësim është prej së paku 6 vitesh dhe deri më tani asnjë institucion vendor nuk ka reaguar për t’u ardhur në ndihmë. Kanali që përmbyt rrugët, kopshtet dhe banesat vjen nga Plepat dhe përshkon Plazhin për t’u derdhur në kolektor pranë Urës së Dajlanit.

Pikërisht shtëpitë në anë të djathtë të këtij kanali përmbyten me të rënë reshjet e para të vjeshtës. Banorët vendas thonë se nuk mbajnë mend ndonjëherë që shtëpitë e tyre të ndërtuara deri në 150-200 m larg nga kanali të fundosen në ujë. Gjithçka ndodh për shkak të bllokimit të  kanalit në vendin e quajtur Ura e Dajlanit. Ka më shumë se 6 vite që e njëjta situatë përsëritet shpesh e shpesh aq sa shumë nga familjet kanë braktisur shtëpitë për të jetuar me qira diku në brendësi të Shkozetit apo edhe në Durrës.

 

Ka më shumë se 6 vite që e njëjta situatë përsëritet shpesh e shpesh aq sa shumë nga familjet kanë braktisur shtëpitë për të jetuar me qira diku në brendësi të Shkozetit apo edhe në Durrës. Ata tregojnë se me të hyrë tetori e deri në fund të majit nuk i shtrojnë e as nuk i ulin dot rrobat në vendet e tyre, ndërsa vetë jetojnë me merak e frikë

Në opinionet e tyre ata tregojnë se me të hyrë tetori e deri në fund të majit nuk i shtrojnë e as nuk i ulin dot rrobat në vendet e tyre, ndërsa vetë jetojnë me merak e frikë. Në varësi të pozicionit të banesës, uji shkon deri në 1 metër duke nxjerrë jashtëpërdorimi çdo gjë. Shumë shtëpi janë plotësisht të pabanueshme pasi u ka rënë suvaja, muri është gërryer dhe gjithandej sundon lagështira. Për shkak të përmbytjeve të herëpashershme, në të tilla shtëpi nuk mund të qëndrohet as edhe për pak minuta.

Tek të tjerat shtëpi vihet re se uji ka shkuar deri në 1 m lartësi dhe se në të tilla kuota qëndron me ditë e me javë. Këtu nuk ka të llogaritur dëmi. Të gjitha divanet, shtretërit, tavolinat, raftet, rrobat, elektroshtëpiaket dhe çdo gjë janë bërë të papërdorshme. Banorët e kanë të pamundur të futen në shtëpitë e tyre në ditë të tilla.

Ata kërcënohen edhe nga kontaktet elektrike, pasi uji kalon në vendet e spinave dhe prizave. Të ndëshkuarit tregojnë se u ndodh shumë shpesh që të zgjohen nën ankth në rastet kur shiu që ka rënë natën ka shtuar volumin e ujit në kanal e për pasojë uji u depërton deri në shtëpi duke u lagur dyshekët. Banorët bëjnë roje sa herë mësojnë se do të bjerë shi, për të mos u kapur në befasi nga uji. Kanali ka 6 vite që nuk pastrohet fare. Ai është i mbushur plot e përplot edhe në gusht kështu që mjaftojnë edhe pak reshje për të bërë që uji të vërshojë nëpër shtëpitë e lagjes.

Në kanal ka gjithçka: dërrasa, materiale të ndryshme, inerte, mbeturina, plastikë e qelqurina, kallamishte etj. Kanali është fryrë edhe për shkak të bllokimit. Janë dy biznese, sipas banorëve, në të dy anët e Urës së Dajlanit që shkaktojnë bllokimin e kanalit duke fundosur në ujë 300 familje. Të gjitha institucionet lokale në Durrës janë të njohura me shqetësimin e banorëve. Bashkia, prefektura, qarku kanë në sirtarët e tyre ankesat me shkrim, fotot e dëmeve që u janë shkaktuar banorëve, fotot e përmbytjeve madje edhe DVD me pamje të xhiruara nga sa ka ndodhur në këtë pjesë të lagjes së Shkozetit. Grupet e emergjencave civile dhe ata të verifikimit kanë regjistruar çdo gjë në blloqe, por vetëm kaq.

Edhe media ka mundur ta përcjellë herë pas here shqetësimin e lagjes me mendimin se do të ndërhyhet. Bashkia e prefektura u kanë kthyer përgjigje banorëve se ata nuk kanë fonde për të ndërhyrë duke i lënë në mes të udhës 300 familjet. Të përmbyturit tregojnë se këto institucione nuk e kanë marrë seriozisht çështjen dhe se atyre as që u intereson ta zgjidhin. Çdo shtëpi ka skelë të cilat i mbajnë para dyerve. Me të rënë shi ata i shpërndajnë skelet nga dera deri tek rruga dhe kështu kalojnë mbi to për të dalë e për të hyrë në banesë.