DURRËS 13 tetor 2013 – Durrsaku Pirro Dollani, përkthyes i së vetmes vepër të autores kanadeze Elis Manro / Munro (Alice Munro), që më 10 tetor 2013 u shpall fituese e çmimit Nobel në letërsi për vitin 2013, tregoi të nesërmen për bashkëqytetarin e tij gazetar Gëzim Kabashi se si është njohur me tregimin “Virgjëresha shqiptare”, i cili në vitin 2005 është botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Ideart”, me president shkrimtarin e njohur, edhe ai durrsak, Arian Leka (në foto, profil). Në të njëjtin vit violinisti, studiuesi, publicisti, ish-drejtori i bibliotekës së qytetit të Durrësit Pirro Dollani (në foto) ka përkthyer nga shqipja në anglisht novelën e Ismail Kadaresë “Ditë kafenesh”, e cila u publikua në SHBA në një botim shumë luksoz (shih faksimilen e kopertinës). Dollani që nga viti 1994 jeton në Las Vegas dhe punon në Institutin e Filmit pranë Universitetit të Nevadës.
Pirro Dollani:
“Ishin Krishtlindjet e vitit 1999 kur një miku im më dhuroi një vëllim të madh me tregime të shkrimtarit irlandez Uilliem Trevër (William Trevor). I interesuar më tej për Trevërin gjeta në parathënien e një prej librave të tij citimin “ai është shkrimtari i shkrimtarëve”. Autorja e parathënies ishte Elis Manro / Munro. Këto fjalë më kanë shtyrë të kërkojë në bibliotekë “Tregime të zgjedhura” të Manro / Munro-së, i cili kishte brenda edhe “Virgjëreshën shqiptare”. Tregimi më befasoi me atë alternim të fantazisë me faktin si edhe me strukturën kompozicionale. Brenda një strukture janë të ndërthurura dy tregime dhe dy rrëfimtarë, pa përfshirë edhe zërin e autores. “Virgjëresha shqiptare” u botua së pari në shtypin periodik letrar. Më vonë u përfshi në përmbledhjen me tregime “Sekrete të Hapura”, 1994, dhe më pas në përmbledhjen me “Tregime të zgjedhura”, 1996, vëllimi që rastësia e solli në dorën time. Është me interes të shtoj se në një intervistë ajo shpreh kështu për këtë tregim: “Dikur kam shkruar një tregim rreth Shqipërisë, të cilin e kam shumë të preferuar. Për sa i përket pyetjes se si do të ndjeshesha nëse Ismail Kadareja do të ishte fitues i Nobelit, mund të them se ai është padyshim njëri nga romancierët më të mirë në botë. Ai nuk pret “kurorën e Nobelit” që të bëhet i njohur, ai është i tillë!”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





