· Quhen Ermion Arapi (ish-drejtor i DRKK-së në kohën e Berishës: “Të gjithë anëtarët e qendrës së votimit ku kam votuar, të majtë dhe të djathtë, më njohin mirë dhe më panë kur unë votova normalisht”) dhe Jeton Bajrami, një nga drejtuesit e Fondacionit të Qendrës Kristiane në Durrës: “Hera e fundit që kam dalë jashtë vendit ka qenë viti 2013, më pas kam qëndruar këtu vazhdimisht”. Ja fotot dhe deklarimet e tyre
15 korrik 2015 – Dy “emigrantët” që denoncoi PD-ja në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor se në emër të tyre kanë votuar të tjerë, në të vërtetë kanë qenë në Durrës më 21 qershor 2015, madje ende nuk u ka dalë boja te thonjtë! Të dëshpëruar së tepërmi, por edhe të hutuar, drejtues të opozitës bregdetare kanë harruar se njërin prej tyre, Ermion Arapi e kanë pasur drejtor të drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare (DRKK) Durrës: “Të gjithë anëtarët e qendrës së votimit ku kam votuar, të majtë dhe të djathtë, më njohin mirë dhe më panë kur unë votova normalisht”. Me sa duket, hartuesit e denoncimit nuk kishin bërë verifikimet, pasi vëzhguesit dhe jo sistemi TIMS, ia kanë shtruar me të ngrënë dhe të pira dhe nuk ishin në qendrën e votimit.
Sipas kolegut, gazetarit të mirënjohur Aleks Kalemasi që ka bërë një investigim, janë dy emra që kanë shkaktuar një stuhi politike në Durrës, duke i dhënë njëkohësisht opozitës një ndër provat materiale për trukimin e rezultatit të zgjedhjeve në qytetin bregdetar. PD-ja ka pretenduar se dy shtetas shqiptarë, të cilët figurojnë si votues në 21 qershor në garën për bashkinë e Durrësit, nuk kanë qenë fare të pranishëm në zgjedhje. Pra, është votuar në emër të tyre, por nuk kanë votuar ata vetë.
Kalemasi ka verifikuar se dy personat, emrat e të cilëve kanë dalë nga kutitë e votimit të bashkisë Durrës sikur kanë votuar në 21 qershor, quhen Ermion Arapi dhe Jeton Bajrami. Ata janë banorë të lagjes 18 në Durrës dhe janë regjistruar në qendrën e votimit nr. 1437, e cila është ngritur në kopshtin “Soros”.
Pas një hulumtimi të thjeshtë, rezulton se që të dy personat kanë qenë në Durrës ditën e zgjedhjeve dhe kanë votuar, si shumë bashkëqytetarë të tyre. Të kontaktuar, ata shprehen të çuditur se nga kanë dalë pretendimet për mospraninë e tyre në zgjedhje. Sepse ata vetë shprehen se atë ditë kanë qenë në Shqipëri, madje kanë votuar si mijëra bashkëqytetarë të tjerë durrsakë.
Ermion Arapi: “Dje e dëgjova këtë gjë, më morën në telefon shokë dhe miq dhe ne në fillim po bënim humor. Nuk e kuptoj se si deklarojnë gjëra të tilla. Unë kam votuar bashkë me pjesën tjetër të familjes, në fund kam qenë unë me prindërit që votuam, madje kisha me vete edhe vajzën 5-vjeçare. Në qoftë se ata që pretendojnë se unë kam votuar pa qenë në Shqipëri, por nëse do te kishin kontrolluar, nuk do ta kishin thënë këtë gjë. Të gjithë anëtarët e qendrës së votimit ku kam votuar, të majtë dhe të djathtë, më njohin mirë dhe më panë kur unë votova normalisht. Ja ku duket edhe shenja e bojës në gisht, e cila është rritur bashkë me thoin”.
Jeton Bajram është një tjetër votues, që, sipas pretendimeve të opozitës, ka votuar pa qenë në Shqipëri në 21 qershor: “U çudita kur mora vesh një gjë të tillë, sepse unë kam qenë këtu dhe votova normalisht. Kam votuar ditën e diel pasdite, vetëm, sepse pjesa tjetër e familjes votuan që në mëngjes. Unë jam pjesë e Fondacionit të Qendrës Kristiane në Durrës dhe një nga drejtuesit e tij. Në mëngjes kishim shërbesat tona fetare dhe ky është shkaku që nuk votova bashkë me familjen. Kjo është hera e tretë që votoj dhe më duket e pakuptimtë që ngrihet pretendimi se unë kam votuar pa qenë fare këtu. Hera e fundit që kam dalë jashtë vendit ka qenë viti 2013, më pas kam qëndruar këtu vazhdimisht”.
/red. th. m. Kontribuoi me intervista dhe foto Aleks Kalemasi/