TIRANË, 9 shtator 2013 – Në prag të largimit, ministri Sokol Olldashi u heq licencat dy firmave të ndërtimit në Durrës, thjeshtër faktin se u janë larguar drejtuesit teknikë. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njofton më 9 shtator 2013 se drejtuesit teknikë Egert Hoxha dhe Lorena Harizaj janë larguar nga shoqëria Agasi Markoudis Group, me drejtues ligjorë Eno Agasi dhe Dimitris Markoudis, për rrjedhim licenca NZ. 6738 e shoqërisë është e pavlefshme. Po ashtu drejtuesi teknik Shyqyri Cara është larguar nga shoqëria Noti 3, me drejtues ligjor Jani Noti, për rrjedhim licenca NZ. 6893 e shoqërisë është e pavlefshme. Nisur nga fakti se këto dy shoqëri, me seli në Durrës, nuk kanë aplikuar për të kryer ndryshimin që rrjedh nga ky largim, pavarësisht se për këtë largim shoqëritë janë lajmëruar në muajin korrik 2013, MPPT-ja ka kërkuar zbatimin e procedurave ligjore përkatëse, duke shpallur të pavlefshme licencat e tyre aktuale deri në momentin e reflektimit e ndryshimit dhe për dorëzimin e saj pranë zyrës përkatëse të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/