2 fitore radhazi, të cilat nuk ishin përjetuar asnjëherë këtë sezon, suksesi i parë në transfertë që nga 12 maji dhe 3 gola jashtë shtëpie, diçka që Teuta nuk e kishte realizuar që nga 16 dhjetori i 2018-ës, kur fitonte 0-4 në Fushë Krujë me Kastriotin. Më në fund, “Djemtë e Detit”, edhe pse iu deshën 23 orë, ia dolën që të triumfonin në transfertë kundër një skuadre me shumë problematika, si Flamurtari.

Një nga aspektet më pozitive që u evidentua në suksesin 1-3 në Vlorë ishte Emiljano Vila. U afrua për të qenë një shembull edhe për të rinjtë falë përvojës, por edhe cilësive, e deri më sot ishte parë shumë pak, gjithnjë nën ritmin e zakonshëm, por kundër kuqezinjve u shfaq me një tjetër pamje, më aktiv dhe më pranë portës. Jo rastësisht realizoi dy herë në stilin e një gjahtari goli.

Nuk mungoi as perla e një supertalenti si Sherif Kallaku. Në aspektin mbrojtës, kjo skuadër ka treguar gjithnjë stabilitet dhe përjashto “black-out”-in ndaj Kukësit, i cili erdhi me polemikave, në sfida të tjera durrsakët kanë shfaqur një mburojë të fortë dhe 12 golat e pësuar i japin etiketën e mbrojtjes numër 1 në Superiore në fund të këtij viti kalendarik.

Nëse edhe faza sulmuese funksionon me të njëjtën rrjedhshmëri si në Vlorë, atëherë Europa mund të vijë pa shumë ankth për “Djemtë e Detit”.