Trajneri i Teutës, Edi Martini, u shpreh tepër i lumtur për fitoren që skuadra e tij arriti në transfertë ndaj Skënderbeut. Në prononcimin pas ndeshjes, tekniku shkodran u shpreh:
“Jemi mirë të gjithë, këto 2 fitoret radhazi na kanë sjellë buzëqeshjen. Më bëhet qejfi për Bregun dhe Krasniqin. Ky i fundit krijon volum loje dhe ka shpërdoruar shumë raste. Ishte në gjendje të vështirë psikologjike. Jemi munduar ta qetësojmë, shyqyr Zotit është rikthyer 2 herë te goli”.
ULJA E RITMIT – Na ndodh shpesh që ta ulim rritmini, edhe me Laçin dhe Skënderbeun ndeshjen e parë na ndodhi. Nuk duhet të zgjohemi nga gjumi kur të na godasë kundërshtari. Këta djemtë në momentet më të vështira, çohen në këmbë dhe luftojnë.
BISEDA ME KRASNIQIN – Po i kam thënë edhe Bregut edhe Krasniqit, i kam folur shumë popullorshe, gjërat që nuk mund t’i përmendim në televizor. Kam qenë vetë sulmues, kam humbur rastet, e di çdo të thotë.
LËNIA PAS E KRIZËS? Kemi kërkuar të jemi më pragmatistë në lojë dhe të marrim pikët. 2 ndeshjet e fundit janë ndër më të dobët që kemi bërë, por kemi kërkuar të marrim pikët dhe mos shikojmë lojën e bukur. Kemi edhe 2 ndeshje mjaft të vështira me Tiranën dhe Kukësin.
S’ka ndeshje të lehta, jemi të kënaqur me këto 2 ndeshje kemi marrë 6 pikë. Nuk jam i kënaqur për sa i përket lojës, por na interesojnë pikët. Flas në emër të çunave dhe të gjithëve.
MERKATO – Nuk kemi menduar merkaton. Të gjithë repartet i kam plotë. Vetëm Kuron kemi njëcik me probleme. Këta djem që janë do ta përballojnë deri në fund. Jemi të kompletuar. Merkatoja, oreksi, uria, vijnë në momentet e fundit”, u shpreh Martini.





