Kur jua thua në sy atë që është e vërtetë bëhen nervozë, këlthasin, nxehen. Nuk duan ta pranojnë dhe duan të ndyjnë gjithë dynjanë. Kjo është mënyra se si reagon politika kur i kujton korrupsionin dhe pasuritë e pamerituara. Ka nga ata që kërcënohen dhe ngrenë zërin sikur mendojnë se zëri i trashë i rrit pak më shumë edhe nga shtati.

Në një shkrim te djeshëm, unë tentoja të shpjegoja se çfarë kishte parasysh Basha me thënien: arrest qytetar. Një kërkim në internet më çoi tek shpjegimi i terminologjisë dhe ngrita pyetjen nëse Basha kishte pikërisht parasysh arrestimin nga qytetarët të të korruptuarve apo jo?! Nuk e dija që ky shkrim do ngjallte reagime edhe pse e di që sa herë flitet për korrupsionin politika menjëherë reagon. Por meqë dje nuk mbajta qëndrim, sot po mbaj një qëndrim personal.

Jo, nuk jemi njësoj. Ata që punojnë dhe paguhen; ata që bëjnë biznes dhe fitojnë nuk janë njësoj me ata që vjedhin. Ata që paguajnë taksa nuk janë njësoj me politikanët që paguhen nga taksat e qytetarëve. Janë dy lloj dhe dy lloje të ndryshme. Kam parë plot njerëz të pasur dhe ka plot të tillë në Shqipëri e në botë. Nuk kam parë politikanë të pasuruar nga politika në botë dhe e di përse? Sepse këta e kanë vendin në burg! Kam parë plot të tillë në Shqipëri. Që bredhin me makina luksoze; që kanë apartamente me skulptura dhe veranda marramendëse; që vjedhin peshkatarët e lagunave dhe drejtoritë e shtetit; që bëjnë si të përkushtuar dhe jetojnë me një kamje që nuk është e merituar. Po, jetojnë me paratë që ju vjedhin ju, qytetarëve të Shqipërisë dhe sa herë përmendet korrupsioni hidhen në sulm. Bëjnë lobingje për kompani nafte e të tjera dhe i mbajnë milionat nën dyshekë. Janë politikanë që nuk ndëshkohen; janë hajdutë që nuk vuajnë për krimin e tyre! A duhet të zgjidhet kjo dilemë. Patjetër që po. Të parët që duhet ta zgjidhin janë politikanët që e bëjnë detyrën e tyre korrekt; gjyqtarët që i shërbejnë ligjit dhe të gjithë ata që e respektojnë atë. Ata që ju vjedhin nuk duhet t’i falni kurrë. Sepse ata ndyjnë të gjithë me shpresën që në ndotjen e përgjithshme do të shpëtojnë të gjithë. Shihini ku jetojnë dhe sqaroni që apartamente luksoze nuk blihen dot me rroga nga 100 mijë lekë; shihini makinat që ngasin dhe kuptojeni se paratë për t’i blerë ato janë paratë e mundit dhe djersës suaj; janë paratë që ja keni hequr nga goja fëmijëve apo nga kujdesi shëndetësor prindërve pleq për të paguar korrupsionin e këtyre politikanëve. Llogaria është fare e thjeshtë: Kush nuk e justifikon pasurinë me të ardhurat e tij, i ka para të vjedhura. Politika këtë nuk do ta dëgjojë.

Po i kthehem debatit aktual. Unë besoj se hajdutët nuk janë as vetëm të majtë as vetëm të djathtë. Janë nga të dyja anët dhe kanë një emër, shkelës të ligjit. Por ka dy mënyra se si vetë njerëzit e politikës po tentojnë ta shmangin këtë.

E para sa herë ka një akuzë për korrupsion nga opozita, mazhoranca i kthehet vjedhjeve dhe akuzave të së shkuarës. Sot kjo mazhorancë është në pushtet; sot kjo mazhorancë ka zyrat e shtetit. Letrat janë aty. T’i nxjerrin dhe të ndëshkojnë hajdutët që kanë përmendur dje. Nëse nuk e bëjnë, ka dy shpjegime. Ose duan të vjedhin vetë të pashqetësuar, ose kanë akuzuar kot vetëm për të krijuar klimë.

Dhe e fundit, përpara se të akuzosh të tjerët duhet të përgjigjesh nëse ke vetë përgjegjësi për akuzat që të bëhen apo jo.

E dyta po tenton që ky debat të transferohet duke futur në një thes ata që realisht kanë një pasuri të deklaruar dhe legale. Kjo është betejë thjeshtë mediatike sepse ligjërisht është lehtësisht e verifikueshme. Jo nuk janë njësoj. Nuk janë njësoj ata që bëjnë para me punë dhe ata që bëjnë para me hajdutëri. Ndryshimi mes politikanit hajdut dhe xhepistit të thjeshtë qëndron se i pari nuk ndëshkohet.

Ndaj, po i kthehem sërish asaj që thashë që në fillim. Po, ata politikanë që vjedhin kanë paratë tuaja. Ata kanë bukën e munguar të fëmijëve tuaj; ata janë burimi i varfërisë suaj; ata janë dështimi i projekteve tuaja në jetë; ata janë ata që s’ju lënë të ngrini kokë. Ndëshkojini ata ashtu siç e meritojnë. Mos kini fike prej tyre. Trajtojini si hajdutë ordinerë!