Nuk ka rëndësi vetëm çfarë themi, por si e themi. Mënyra si komunikojmë mund të shmangë tensionet e panevojshme. Një profesor psikologjie shpjegon se si ta arrijmë këtë.

Partneri ynë na sjell momente gëzimi dhe të qeshurash. Por, në periudha të tjera, mund të na mërzisë, zhgënjejë apo të na bëjë të ndihemi sikur po na imponon dëshirat e veta. Këtu lind konflikti, që shpesh përfundon me debate të ashpra, ndjenja të lënduara dhe tronditje të themeleve të marrëdhënies.

Çelësi, sipas filozofëve stoikë të lashtësisë greke dhe romake, është të kuptojmë dallimin mes asaj që mund të kontrollojmë dhe asaj që nuk mundemi: nuk mund të kontrollojmë çfarë të tjerët thonë apo bëjnë, por mund të kontrollojmë si reagojmë. Prandaj, nuk duhet të habitemi kur të tjerët nuk përmbushin pritshmëritë tona — secili ka nevojat, dëshirat dhe mendimet e veta.

Por çfarë mund të bëjmë kur njerëzit — veçanërisht partneri ynë — thonë ose bëjnë gjëra që na duken të bezdisshme, të padrejta apo thjesht irrituese?
Sipas Dr. Jeffrey S. Nevid, profesor i psikologjisë në Universitetin St. John’s në Queens, Nju Jork, kemi dy mundësi:

ose t’i lejojmë emocioneve të na drejtojnë reagimin,

ose të provojmë një qasje tjetër, që bazohet në përdorimin e dy fjalëve të thjeshta — duke pranuar ndjenjat e tjetrit përpara se të shprehim tonat.

Ai e shpjegon këtë metodë në një artikull të Psychology Today.

Dy fjalët “magjike”: “Po, por…”

Sipas ekspertit, përgjigjja e thjeshtë “po, por…” për diçka që na shqetëson është një formë vetëpohimi që përbëhet nga dy pjesë:

“Po” – pranon dhe vlerëson dëshirat, nevojat apo ndjenjat e tjetrit.

“Por” – shpreh nevojat dhe ndjenjat e tua në mënyrë të qetë dhe të ndërtuar.

Shumë njerëz, thotë Nevid, e fillojnë reagimin e tyre me “por”, duke listuar arsyet pse tjetri është i padrejtë ose pse kërkesa e tij është e pamundur. Kështu nis grindja: toni rritet, qëndrimi bëhet mbrojtës, dhe pak nga pak, të dy palët përfundojnë në një debat të nxehtë — shpesh pa mbajtur mend se për çfarë nisën.

Në fakt, problemi nuk është mospajtimi, por mënyra si e shprehim dëshirën. “Sekreti është të pranosh dhe të vlerësosh ndjenjat e tjetrit — ky është ‘po’-ja në proces”, shton ai.

Tre hapat bazë që ndihmojnë këtë qasje:

Ndalo për një çast.
Kur dikush thotë diçka që të bezdis, mos reago menjëherë. Merr frymë, ndalo pak dhe mos i lejo mendjes të të drejtojë drejt reagimit negativ.

Arsyeto.
Mendo përpara se të përgjigjesh, shmang reagimin e menjëhershëm.

Përgjigju me “po, por…”.
Fillimisht prano ndjenjat ose kërkesën e tjetrit (“po”), pastaj shpreh qetësisht nevojën tënde (“por”). Kështu komunikimi bëhet i ndërtuar, jo përçarës.

Për ta bërë më të qartë, profesori sjell një shembull nga praktika e tij:

Një pacient irritohej sa herë që bashkëshortja e ndërpriste me kërkesa “urgjente” gjatë punës, që ai i konsideronte të parëndësishme. Ai reagonte me fraza si: “Nuk po sheh që po punoj?”, duke krijuar tension.
Por, kur filloi të ndalonte përpara se të përgjigjej dhe të kuptonte se ajo që ishte e rëndësishme për të shoqen meritonte respekt, komunikimi ndryshoi ndjeshëm. Një përgjigje si:

“E kuptoj çfarë po thua dhe dua të të ndihmoj… po ta bëjmë pak më vonë?” solli një ndryshim të dukshëm në marrëdhënie.

“‘Po, por…’ — dy fjalë të thjeshta që mund të bëjnë një ndryshim të madh.