Dy gazetarë durrsakë kanë përgatitur një dokumentar televiziv kushtuar jetës dhe veprimtarisë së arkeologut të shquar Vangjel Toçi.
Nisma e gazetarëve Gëzim Kabashi dhe Astrit Tahiri përkon me 100-vjetorin e lindjes së Vangjel Toçit (1920 – 1999), një nga personalitetet më të shquara të qytetit të Durrësit gjatë shekullit të kaluar.
Dokumentari “Vangjel Toçi, arkeologu vizionar i qytetit antik” do të shfaqet gjatë një ceremonie që pritet të zhvillohet në Amfiteatër më 11 tetor.
Në këtë vit jubilar bashkëqytetarët kanë kërkuar nderimin e tij, si një pikë referimi në kushtet e humbjes graduale të identitetit dhe trashëgimisë kulturore të qytetit.
Shpallja e vitit 2020 si “Viti i arkeologjisë kombëtare Vangjel Toçi” dhe emërtimi i Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Durrësit me emrin e themeluesit të tij ishin dy kërkesat e një grupi intelektualësh të rinj durrsakë.
Përgatitja dhe projektimi i një dokumentari kushtuar jetës dhe kontributit të pashoq që Vangjel Toçi ka dhënë në Durrës, kanë gjetur përkrahjen e Muzeut Arkeologjik, dhe mbështetjen e disa biznesmenëve.
Qyteti i lashtë i detyrohet prof. Vangjelit dhe ekipit që ai drejtoi në vite, zbulimin e Amfiteatrit 1900-vjeçar; mozaikun e njohur në botën shkencore me emrin “Bukuroshja e Durrësit”; Termat (banjat) e periudhës romake në themelet e teatrit “Aleksandër Moisiu”; mozaikun me kalë deti, etj.
Zbulimi prej tij i mbi 300 emrave ilirë provoi praninë e elementit ilir në Durrës.
Një pjesë e monumenteve të zbuluara u ekspozuan si pjesë e Parkut Arkeologjik, në lulishten e njohur sot si Shëtitorja Bregdetare, projekt që mori jetë falë kurajës së drejtorit Vangjel Toçi.
Merita e parë e tij në Durrës është krijimi i Bibliotekës së qytetit më 11 shtator të vitit 1945.
Nën drejtimin e Vangjel Toçit në Muzeun e Durrësit u krijuan me radhë sektorët e historisë, arkeologjisë, luftës nacional-çlirimtare, etj; në vitin 1968 pasi afroi në muze disa nga artistët më të shquar durrsake ai ngriti Galerinë e Arteve Figurative.
Pak para se të dilte në pension, Vangjel Toçi bëhet nismëtar i ndërtimit të Muzeut të ri arkeologjik të qytetit antik.
Kjo është arsyeja, që qytetarët durrsakë e kujtojnë me respekt e nderim edhe sot.
Gazetari Gëzim Kabashi dhe telekronisti Astrit Tahiri kanë përvoja të gjata pune përkatësisht në ATSH dhe në TVSH, ndërsa së bashku kanë realizuar një seri me kronika problemore dhe disa dokumentarë për qytetin e Durrësit, zonën e Ishmit, etj.