Itali, 31 maj 2014 – Dhjetë muaj më parë vogëlushja Almeda Dervishaj, 9 vjeç pësoi një aksident automobilistik, ndërsa shkonte në shkollë në Ravena, Itali. Të premten vogëlushja u kthye në shtëpi pas dhjetë muajsh qëndrimi në spital. Nuk është shëruar ende plotësisht, por ka shpëtuar nga vdekja dhe mjekët premtojnë për një rikuperim të plotë të saj. Vajza ka filluar të ushqehet nga pak edhe vetë. Arrin të flasë rrjedhshëm, njeh njerëzit e shtëpisë dhe nuk e ka humbur kujtesën. Ende pas katër ndërhyrjesh kirurgjikale nuk arrin të ecë vetë, por shpresat janë të mëdha.

Në rastin e vogëlushes Almeda, mediat lokale të Ravenës iniciuan një fushatë të jashtëzakonshme solidariteti. Rezultatet e kësaj fushate u panë me rastin e kthimit në shtëpi të vogëlushes. Mirit, babait 49 vjeçar, iu dorëzuan 1.800 euro të mbledhura nga një fushatë sensibilizuese në Facebook.

Qendra lokale hipoterapike (kuron nëpërmjet terapisë së hipizmit) i ka ofruar vogëlushes gratis një terapi të plotë shëtitje me kuaj me instruktorin përkatës për të rivënë në punë gjymtyrët e dëmtuara nga aksidenti.

Kryetari i Bashkisë së Ravenës të enjten i dorëzoi Miri Dervishit, babait të Almedas, çelësat e shtëpisë së re të sapondërtuar gratis nga ACER (Azzienda Casa Emiglia Romagna), homologia italiane e Entit Kombëtar të Banesave në Shqipëri.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/