Krimi i organizuar, por edhe korrupsioni, vazhdojnë ta pengojnë zhvillimin e Kosovës, vlerësojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe njohës të çështjeve të sigurisë. Sipas tyre, ky lloji kriminaliteti ka depërtuar edhe në institucionet e vendit.
Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës, thonë se krimi i organizuar vazhdon të jetë një shqetësim për vendin. Fatmir Xhelili, anëtar i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për ta zvogëluar dukurinë e krimit të organizuar në Kosovë, duhet që institucionet të investojnë në zbatimin e ligjeve dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.
“Duhet vullnet politik dhe këmbëngulësi e instrumenteve të shtetit për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjyqësia ka ngecur prapa në drejtim të zbatimit dhe ndëshkimin e atyre personave që kanë thyer ligjin në këtë drejtim. Besoj se edhe Prokuroria duhet të jetë më këmbëngulëse në këtë fushë”, thotë Xhelili.
Ai konsideron se dhënia e dënimeve të merituara për ata persona që merren me krimin e organizuar, do të ishte mesazhi më i mirë që kjo dukuri të mos jetë shumë e përhapur. Deputeti Xhelili, po ashtu, mendon se edhe politika është e përzier me individë, të cilët merren me këto dukuri.
Siç thotë ai, interesi i madh dhe përfitimet e mëdha nga krimi i organizuar kanë arritur të depërtojnë deri te vijat politike. “Dyshimet ekzistojnë se këto grupe të interesit apo grupe të organizuara kriminale, e kanë në një farë mënyre, në lidhje indirekte apo direkte, mbështetjen e politikës, përndryshe nuk kishin mundur të funksionojnë”, thekson Xhelili.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se kanë në proces disa raste, të cilat kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Prokuroria thuhet se vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti janë pranuar tri raste, ku janë të përfshirë njëzetenjë persona.
“Në vitin 2016 janë pranuar 4 raste me 80 persona. Në vitin 2017 janë pranuar 12 raste me 76 persona. Kurse, deri më tani [2018 ] janë 3 raste me 21 persona”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Krimi i organizuar është një lloj i aktivitetit të paligjshëm, të cilin e realizon një strukturë organizative grupore e ngjashme me shoqatat apo shoqëritë e zakonshme legale dhe e cila si synimi themelor e ka arritjen e përfitimit sa më të madh material.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, thekson se gjendja ekonomike dhe mosfunksionimi i shtetit ligjor, ndikon që grupet e organizuar kriminale të funksionojnë lirshëm në Kosovë.
“Kosova ende është në fazën e ngritjes së kapaciteteve të sigurisë dhe të gjitha këto ndikojnë në krimin e organizuar. Përshtypja në opinion është se nuk ka ndëshkim të krimit dhe korrupsionit(të inkriminuarve dhe të korruptuarve). Kosova është vend i vogël, secili e njeh secilin dhe normalisht që jo vetëm nga politika që ka ndikim në gjyqësi, por edhe nga vetë qytetarët”, thotë Maloku.
Eksperti Maloku thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke çaluar dhe ende, sipas tij, duhet kohë që ai të përmirësohet dhe Kosova vërtet të bëhet shtet ligjor.
“Zbardhja e shpejtë e rasteve dhe ndëshkimi i veprave kriminale, janë masat më të duhura parandaluese që të mos ndodhin vepra të tjera. Në një shtet ku shpejt zbardhet rasti kriminal ose në një shtet ku krimi ndëshkohet, ai më nuk ndodh. Kosova ka një përqindja të madhe të rasteve kriminale të pazbardhura”, thekson Maloku.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, kanë ftuar prokurorët dhe gjyqtarët disa herë që të vazhdojnë punën e tyre të pakompromis në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është një ndër kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian për Kosovën që synon liberalizimin e vizave dhe integrimin në këtë mekanizëm.