Deputeti demokrat Edmond Spaho ka folur pas incidentit të ndodhur paradite në një qendër votimi në fshatin Zvezdë të Korçës. Në një deklaratë për mediat, ai thotë se shkoi në atë qendër votimi pasi mori informacion se një grup të rinjsh po u ushtronin presion qytetarëve për votën.
“Shkova për të kontrolluar ecurinë e procesit të votimit në fshatin Zvezdë. Paraprakisht kisha marrë informacion që një grup të rinjsh po ushtronin presion. Shkova në Zvezdë vetëm, pashë një grup të rinjsh me kapuça brenda dhe jashtë, hyra në korridor e njëjta situatë.”
Sipas deputetit, ai u pengua të futej brenda qendrës së votimit nga dy persona, e më pas një grup të rinjsh lëshuan fyerje ndaj tij. Pas këtij momenti, Spaho thotë se dikush e ka goditur me grusht në buzën e sipërme, duke e detyruar atë që të dilte jashtë.
“U përpoqa t’i bëj shenjë komisionerit, por më penguan dy gorilla trupmëdhenj, më dolën përpara. Lëviza djathtas ata djathtas, unë majtas, ata majtas. U përpoqa t’i anashkaloj ishte e pamundur dhe më pas tërhoqa njërin. Ti Edmond Spaho tha s’ke për të hyrë këtu. Kush je ti që më ndalon dhe e tërhoqa pasi po më pengonte. Kur ndodhi kjo ngjarje të gjithë të rinjtë që ishin brenda dhe jashtë, u turrën dhe më rrethuan dhe u detyrova të dal. Njoftova komisarin e policisë së Maliqit si dhe KZAZ-në dhe kërkova prezencën në Zvezdë. Në pritje që të vinte policia, jam ndeshur me një lumë të sharash, ulërimash politike. Donin të tregonin dominimin e qendrave. I kam fotografuar dy gorillat, dhe po prisja të vinte policia, ndërkohë vjen deputeti Pendavinji me një grup tjetër që po më ofendonin. Në këto kushte i thashë Ilir Pendavinjit që ti je i lidhur me bandat, je hajdut bandash, hajdut zgjedhjesh. Në këtë kohë dikush më goditi në buzën e sipërme në krahun e majtë, por pa një problem serioz të themi. Duke qenë se situata po acarohej, u detyrova të dal jashtë.”
Për rastin, ai thotë se ka video e foto të cilat do ja dërgojë policisë dhe prokurorisë.
“Unë bëra kallëzim penal dhe këtë kallëzim do ta bëjë edhe nënkryetari i KZAZ-së. Incidente të tilla nuk duhet të ketë fare, edhe incidenti i parë me Gëzim Topçiun ishte një mashtrim që ai po u bënte traktoristëve pasi nuk i targon ai mjetet bujqësore. Dhe atë takim unë e kam dokumentuar me video që policia dhe prokuroria dhe OSBE ODIHR-it ta ndjekin. Edhe në këtë rast sipas kodit zgjedhor, si deputet mua më lejohet të futem dhe të kontrolloj procesin e votimit. Megjithatë asnjëherë që kur kam marrë këtë pozicion, unë nuk kam hyrë në qendrat e votimit. Po ju them atje shkova vetëm dhe nuk kam pasur asnjë përkrahës.”