Itali, 9 korrik 2014 – Një bandë grabitësish shqiptarë, e përbërë nga 3 të rinj, në 15 prill 2014 grabiti me dhunë dhe armë vilën e një biznesmeni në qytezën e Kampelo sul Klitunos (Campello sul Clitunno) në rajonin e Umbrias. Në vilë u grabitën para, sende të arta si edhe një pistoletë e mbajtur me leje, që gjendej në kasafortë.
Karabinieria koordinoi punën me policinë dhe arriti t’i identifikojë tre grabitësit shqiptarë edhe në sajë të filmimeve të kamerave të një dyqani shitblerje ari të përdorur, ku ata kishin çuar për të shitur një pjesë të bizhuterive të vjedhura në vilë.
Dy grabitësit e arrestuar janë shqiptarët S. L., 25 vjeç dhe P.N., 32 vjeç me precedentë penalë. Grabitësi i tretë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Interpol Roma ka kontaktuar edhe Interpol Tiranën për të kryer ndalimin e grabitësit të tretë, nëse ai kthehet në Shqipëri.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





