Tentuan të trafikonin armë nga Shqipëria drejt Italisë, arrestohen dy shtetas italianë dhe bashkëpunëtori i tyre nga Durrësi. Sipas policisë, Antonio Maurizio Carriero, 50 vjeç dhe Riccardo Gagliardi, 25 vjeç, nga Brindisi, si dhe Orlando Smoqi, 19 vjeç, banues në fshatin Rreth të Shijakut janë vënë në pranga pasi janë kapur në flagrancë teksa kanë tentuar që të kalojnë përtej kufirit armë luftarake. Gjatë një kontrolli të ushtruar në mjetin e tyre tip Lancia me targa BM 866 EM, me të cilin dy shtetasit italianë po udhëtonin, policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri, automatikë model 56. Armët ishin çmontuar me qëllim që të mos zinin shumë vend në mjet dhe të mos binin në sy të policisë.
Grupi hetimor dyshon se armët janë siguruar në Shijak kundrejt një pagese minimale prej rreth 300 euro copa, ndërsa në Itali do të shiteshin dhjetëfish më shtrenjtë. Nuk bëhet e ditur nëse shtetasit e huaj kanë kaluar herë të tjera armë në drejtim të vendit të tyre apo edhe gjetkë. Dy shtetasit italianë dhe si dhe shqiptari Orlando Smoqi janë vënë në prangat e policisë së Durrësit nën akuzën e trafikimit të armëve, ndërsa me hetimet e mëtejshme po merret Prokuroria e Krimeve të Rënda.