Morën peng gardianët me dy pistoleta e dy kallashë.
Hetimi, pajisja dyshohet se ka hyrë në Burgun e Drenovës në gusht 2013 .
25 nentor 2013- Një plan i menduar prej kohësh deri në detaje, përvoja në arratisje të mëparshme dhe guximi për t’u përballur me rrezikun u ka dhuruar lirinë shtatë të dënuarve që u arratisën nga Burgu i Drenovës të shtunën pasdite. Organet e hetimit dhe Ministria e Drejtësisë e kanë të qartë skemën e përdorur në momentin e daljes së të dënuarve nga burgu, ndërsa po zbardhin hap pas hapi edhe planifikimin paraprak të arratisjes nga protagonistët e saj.
Burime nga hetimi kanë pohuar dje për gazetën “Panorama” se katër armët e përdorura nga shtetasit Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm, Fran Marashi i dënuar përjetë, Gëzim Guri i dënuar përjetë dhe Gëzim Toma, i dënuar me 12 vjet burg, kanë qenë dy pistoleta dhe dy armë automatike kallashnikov. “Armët janë futur në burg kohë më parë. Sipas të dhënave të deritanishme, tre muaj më parë, me anë të fshehjes në pajisje elektroshtëpiake”, thanë burimet nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, armët së bashku me municionin janë futur në burg të çmontuara në pjesë të vogla, të cilat ishin paketuar mirë dhe vendosur brenda një frigoriferi. Kjo pajisje mësohet se është futur rreth muajit gusht në Burgun e Drenovës dhe është dërguar në qelinë e Admir Tafilit. Futja e pajisjes është bërë në kohën e verës, kur burgjet “liberalizojnë” futjen e frigoriferëve ose freskueseve në qelitë e të dënuarve, kur ato u dërgohen nga familjarët për shkak të vapës. Pasi kanë siguruar armët dhe municionin, të dënuarit i kanë fshehur ato brenda burgut dhe më pas kanë organizuar detajet e tjera të arratisjes, që kanë menduar ta finalizojnë të shtunën në mbrëmje. Planifikimi i arratisjes që nga muaji gusht dhe futja e armëve në burg në këtë kohë është pohuar në dëshmitë e shtetasve Albi Meçini dhe Olsion Maçi, të arrestuar në Korçë të shtunën, si bashkëpunëtorë të të arratisurve me ndihmë nga jashtë burgut.
Si u arratisën
Plani i arratisjes është vënë në jetë mbrëmjen e së shtunës. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, e konfirmoi këtë fakt kur tha dje se nga verifikimet paraprake të kryera rezulton se në orën 18:33 personat e arratisur kanë qenë duke kryer veprime në klasën e të dënuarve, në seksionin e sigurisë së lartë. “Në momentin që kanë hyrë në klasë, këta persona kanë qenë të armatosur me dy automatikë dhe dy pistoleta”, theksoi ministri. Ai deklaroi se duke përfituar nga shkelja e skemës së sigurisë së punonjësve të policisë, përgjegjës për garantimin e saj, pasi kanë marrë peng punonjësit e policisë, të arratisurit kanë mundur të arratisen nga ky institucion. “Pasi kanë dalë nga zona e sigurisë (regjimi i brendshëm), nën kërcënimin e armëve, kanë prerë rrjetën e rrethimit të jashtëm dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, jashtë burgut, kanë mundur të largohen”, është shprehur dje ministri i Drejtësisë në një takim urgjent që thirri me 21 drejtorët e burgjeve në vend. Ndërkaq, nga burime të hetimit mësohet se të arratisurit që kanë kryer planin kanë qenë katër personat, Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri dhe gëzim Toma. Tre të arratisurit e tjerë nuk kanë pasur armë dhe ende nuk është e qartë nëse kanë qenë pjesë e planit, apo jo. Pasi kanë arritur të dalin nga ambientet e burgut, të arratisurit kanë mbajtur peng gardianët për t’u shpëtuar efektivëve të armatosur që ruajnë në kullat e vëzhgimit në çatinë e burgut. Më pas, ata kanë dalë në rrugë dhe janë larguar me automjete. Besohet se katër prej organizatorëve të arratisjes kanë lëvizur drejt Përrenjasit, kurse tre të tjerët janë ndarë. Gëzim Guri është nisur me taksi për në banesë, por është arrestuar në rrugën Dishnicë – Devoll, ndërsa dy të tjerët kanë arritur të largohen.
PD: Shteti ra dy herë për një orë
Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, deklaroi se shteti shqiptar ka rënë dje dy herë në harkun e një ore “7 persona të dënuar me burgim të përjetshëm arrijnë të dalin të armatosur nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Drenovë të Korçës. Kjo është rënia e parë e shtetit. Rreth një orë më vonë, të arratisurit arrijnë të çajnë me forcë një postbllok të policisë të ngritur në Pogradec enkas për ndalimin e tyre. Dhe ky është rrëzimi i dytë i shtetit”. Sipas zëdhënëses së PD, kjo situatë e rënduar e pasigurisë dhe e vërshimit të krimit e dobësimit të shtetit në çdo drejtim vjen si rezultat i mënyrës së qeverisjes dhe filozofisë së dyshesh Rama-Meta për allishverishe dhe ndarjen e tortës së pushtetit.
/ panorama /





