Që në fillim le ta themi se nuk mendojnë të gjithë kështu. Mirlind Daku u kërkua nga klube ruse, dhe nuk u mor për shkak të kërkesës së lartë të Rubinit, por pati nga ata që hoqën dorë për arsye që nuk kanë lidhje me sportin. E përditshmja kryesore sportive e Rusisë, “Sport Ekspres” nga Moska, shkruan se klubi kryeqytetas, Spartak, dhe Zeniti nga Shën Peterburgu patën mundësi ta merrnin yllin kuqezi, por ngurruan për shkaqe politike. “Zeniti dhe Spartaku I kishin mundësitë për ta marrë Dakun, – shkruan gazetari Maksim Alanazarov, që është zëvendëskryeredaktor i gazetës, – por morën vendim që të mos e realizonin transferimin, sepse ky do të ishte politikisht i papërshtatshëm”.
Është e lehtë të mendosh se papërshtatshmëria për Dakun ka lidhje me kombësinë e tij shqiptare, e ndoshta me qendrimin e vendit tonë në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë. Gjithsesi, mediat ruse kanë lajmëruar më parë se Krasnodar dhe Lokomotiva e Moskës janë përpjekur për ta marrë sulmuesin e kombëtares, e madje kryeqytetasit ofruan 6 deri në 7 milionë euro, por u tërhoqën pas kërkesës nga Rubini prej mbi 10 milionë eurosh. Besohet se Zeniti dhe Spartaku nuk e kanë pasur shumë problem të paguajnë 10 milionë euro apo diçka më shumë. Njëzeteshtatëvjeçari ia tregoi vlerën skuadrës moskovite të dielën e kaluar duke shënuar të dy golat në fitoren 2-1 në Kazan në Premier Ligë.
Ndërkaq, lajmi i mirë për kombëtaren është që Daku luajti këtë mesjavë në play off-in e Kupës së Rusisë, ndonëse hyri në lojë në pjesën e dytë. Futbollisti zëvendësoi Marvin Çunin, gjithashtu pjesë e përfaqësueses shqiptare, me të nisur pjesa e dytë dhe ishte i rrezikshëm disa herë, qoftë duke gjuajtur, apo duke shërbyer për shokët. Për fat të keq, Rubin u mund 1-0 jashtë fushe nga Urali, dhe u eliminua, ndërsa Daku nuk pritet të luajë këtë fundjavë në Premier Ligë sepse duhet të jetë i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e kaluar.