Bashkimi i dy kompanive është shpallur fitues për zbatimin e projektit për ndërtimin e shëtitores së plazhit nga Ura e Dajlanit deri në godinën e Kavalishencës.
Bëhet fjalë për kompanitë “Curri” sh.p.k dhe “Xhengo” sh.p.k. të cilat janë shpallur fituese mes 17 operatorëve ekonomikë që morën pjesë në tender.
Oferta në fjalë kap vlerën 284,962,076 lekë ndërsa fondi limit i akorduar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për këtë projekt ishte 416,606,400 lekë.
Nga 16 operatorët e tjerë ekonomikë nuk ka pasur asnjë ankesë, pas shpalljes së fituesit. Kohëzgjatja e kontratës që do të lidhet mes FSHZH-së dhe bashkimit të dy kompanive është 9 muaj.
Ky projekt, i cili është quajtur “Durrës Waterfront”, konsiston në një proces transformimi urban për bregdetin e Durrësit, nga Ura e Dajlanit deri në Plepa.
“Kjo zonë ka një potencial të madh zhvillimi duke marrë parasysh dhe projektin e ri të portit të Durrësit ‘Durrës Yacht & Marina’. Projekti ‘Durrës Yacht & Marina’ konsiston në zhvillimin e portit të Durrësit dhe jo vetëm. Në këtë zonë të re, do të kenë zhvillim fusha të ndryshme si hoteleria, shërbimet, transporti etj. Thënë kjo, ‘Durrës Waterfront’ do të jetë një aset i shtuar ‘Durrës Yacht & Marina’ dhe e anasjellta. Këto dy zona zhvillimi do të jenë një vazhdimësi e njëra-tjetrës, duke bërë kështu një lidhje të aktiviteteve që do të jenë të shpërndara në to. Shëtitorja e re do të trajtohet si një hapësirë e hapur për qytetarët ku do të bashkëjetojnë funksione të ndryshme në hapësirat e tyre të nevojshme” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Zona e Shëtitores së Plazhit nga Ura e Dajlanit deri tek godina e Kavalishencës ndodhet 4 kilometra larg nga qendra e qytetit të Durrësit dhe gjithashtu është në vijë të parë lidhjeje me urën e Dajlanit dhe portin e Durrësit.
Shëtitorja e re që do të ndërtohet është ndarë në 3 fragmente të cilët janë:
- Fragmenti 1 – Nga Ura e Dajlanit deri tek Pista ‘Kosova’
- Fragmenti 2 – Nga Pista ‘Kosova’ deri tek Hotel ‘Adriatik’
- Fragmenti 3 – Nga Hotel ‘Adriatik’ deri tek Konvaleshenca
Në projekt janë përfshirë një sërë aktivitetesh dhe hapësira rekreative të ndryshme si:
• Shëtitore lineare përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit, duke siguruar shëtitoren (për të shërbyer si sipërfaqe e përbashkët), korsi të dedikuara për këmbësorët, çiklistët dhe vrapim
• Zona sportive duke përfshirë sportet ujore
• Këndet e lojërave për fëmijë
• Komoditete të vendosura përgjatë zonës së shëtitores
• Nyjet e ushqimit dhe pijeve
• Nyjet e argëtimeve dhe aktiviteteve
• Zona të dedikuara për mundësi investimesh të lehta
• Objektet e relaksimit në plazh







