Lionel Messi, pavarësisht se vendosi të qëndronte në Barcelonë deri në fund të këtij sezoni, duke mos dashur të niste një proces gjyqësor ndaj klubit ku u rrit dhe u bë ndër më të mirët e të gjitha kohërave (për të mos thënë më i miri), vazhdon të ketë objektiv transferimin te Manchester City. Mediet angleze, së fundmi kanë raportuar se 6 herë fituesi i “Topit të Artë” ka dy kërkesa themelore për t’iu bashkuar Citizens: rinovimin e kontratës së trajnerit Pep Guardiola dhe qëndrimin në Manchester të shokut tij të vjetër në përfaqësuesen e Argjentinës, Sergio Aguero.
Messi e fitoi dy herë Championsin me Guardiolën trajner të Barcelonës, por spanjolli ende nuk e ka shijuar suksesin europian me Cityzens (as me Bayernin nuk ia doli). Ish-kampionët e Premier League-s shpresojnë që transferimi i Messit në Angli do t’i ndihmonte që më në fund të fitonin kupën me veshë të mëdhenj. Marrëdhënia e Messit me Barcelonën ka qenë e paqartë gjatë viteve të fundit, ndaj Manchester City është ende favorit për të nënshkruar me “Pleshtin” verën e ardhshme.





