Amir Bilali dhe Bruhan Mustafov nuk do të jenë më pjesë e Teutës për sezonin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi durrsak përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku i ka falenderuar të dy futbollistët për kontributin e dhënë për skuadrën.

Qendërmbrojtësi Bilali, i ardhur nga Rabotnički në janar të këtij viti, ka luajtur vetëm 10 ndeshje me Teutën duke shënuar edhe një gol. Lojtari i lindur në Gostivar, tashmë 24 vjeç, ka ndërprerë bashkëpunimin me klubin durrsak, ndërsa nuk dihet destinacioni i tij i ardhshëm.

Edhe Mustafov ishte bashkuar me Teutën në janar të këtij viti, nga Pobeda Prilep, por mesa duket mesfushori me tipare difensive gjithashtu ka vendosur të mos vazhdojë më bashkëpunimin me skuadrën shqiptare. Gjatë pjesës së dytë të sezonit ai ka luajtur vetëm pesë ndeshje me Teutën, duke mos shënuar asnjë gol.