Teuta ka rifilluar stërvitjen në Durrës pas kthimit nga Bullgaria. Gjatë sezonit të shkuar lideri i Teutës ishte Emiliano Vila, i cili tashmë është larguar nga blutë. Kapiteni i ri i Teutës do të jetë mbrojtësi Blerim Kotobelli. Edhe në miqësoret në Bullgari shiriti ka qenë mes Ledio Beqjas dhe Blerim Kotobellit, në rastet kur njëri apo tjetri nuk luante titullar. Kotobelli, i cili si fillim arriti akordin me klubin për të vazhduar edhe sezonin e ardhshëm me Teutën, do të mbajë dhe shiritin e kapitenin këtë sezon. Mbrojtësi e ka veshur fanellën e kësaj skuadre që në fillimet e karrierës së tij, ndërsa sezonin e kaluar ai kishte statusin e zëvendëskapitenit.

Vjet shiritin e mbajti Emiliano Vila, por tani ai kalon në krahun e një prej lojtarëve më me përvojë në ekip. Dy zëvendëskapitenët nuk dihet ende se cilët do të jenë, por do të zbulohen në vazhdim. Pas tri miqësoreve të zhvilluar në Bullgari, Teuta ka planifikuar të zhvilloje edhe dy të tjera në ditët e ardhshme, pikërisht në prag të sezonit 2023-2024. Klubi ka në plan të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore. Ende nuk janë fiksuar datat se kur do të luhen ato, por gjithçka po bëhet për t’u përgatitur si duhet për sezonin e ri. Në këto dy miqësore, pritet që Teuta të luajë përballe ekipeve të Superiores, megjithatë ende nuk është e qartë se cilat do të jenë ato.

Teuta po zhvillon shumë ndeshje miqësore në këtë pragsezoni, të cilat e ndihmojnë stafin teknik për të konsoliduar formacionin, mënyrën e lojës dhe shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e skuadrës. Me ekipin blu u bashkua edhe blerja më e fundit, Klinti Qato. Ky i fundit ishte pjesë e Laçit sezonin e kaluar, por këtë vit do të veshë fanellën e bregdetarëve, pasi ka arritur tashëm akordin me drejtuesit e klubit të Teutës. Qato ka qenë pjesë e Teutës edhe në sezonin 2018-2019, kur luajti vetëm një ndeshje, ndërsa pas aventurave te Luftëtari e Tomori, në verën e 2021-shit u transferua te Laçi.  Drejtuesit e skuadrës po punojnë në drejtim të lojtarëve që priten të afrohen. Teuta ka piketuar të paktën dy-tri përforcime në merkaton e verës.