TIRANE,21 gusht 2013 – Ministrja e ardhshme e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ajo e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në qeverinë "Rama", Eglantina Gjermeni refuzojnë t'i japin një përgjigje shqetësimit të shprehur një ditë më parë në "Gazeta Shqiptare" nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, për mundësinë e shkarkimit të saj nga puna me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste. 

E kontaktuar ditën e djeshme nga "GSH" nëpërmjet telefonit, Mirela Kumbaro nuk dha një përgjigje të qartë rreth fatit të Zonjës së Parë në administratën publike. "Të lutem, unë ende nuk e kam marrë detyrën e ministres. Jam në mes të një mbledhjeje dhe nuk mund ta vazhdoj dot këtë bisedë. U ngrita për edukatë, por s'mund ta vazhdoj bisedën. Jam shumë e zënë duke u marrë me mbledhjet e qeverisë së ardhshme. Gjithë të mirat", – na tha ministrja e ardhshme e Kulturës. E pyetur për të njëjtën çështje edhe ministrja e Turizmit në qeverinë "Rama", Eglantina Gjermeni tha për "Gazeta Shqiptare" se "nuk mund të përgjigjem për këtë gjë. Është vonë, unë jam në mes të takimeve. Të lutem e lëmë këtë bisedë bashkë. Flasim një herë tjetër. Faleminderit!". Bashkëshortja e Presidentit të Republikës, Odeta Nishani aktualisht mban postin e drejtoreshës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore pranë MTKRS. Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama gjatë prezantimit të strukturës së re të qeverisë bëri publik faktin e ndarjes së këtij dikasteri në Ministri të Kulturës si edhe në Ministri të Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Për këtë arsye ende nuk është e qartë se pranë cilës ministri do të atashohet Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore që drejtohet nga bashkëshortja e Presidentit të Republikës. Dy ditë më parë, në një intervistë dhënë për "Gazeta Shqiptare", Zonja e Parë, Odeta Nishani shprehu hapur frikën që ndjen për largimin nga puna pas ardhjes në pushtet të socialistëve. "Unë vazhdoj të bëj detyrën time siç e kam bërë deri tani, por nga ata njerëz mund të pres gjithçka", – deklaroi bashkëshortja e Presidentit, e cila prej disa ditësh u vu në qendër të akuzave të deputetëve të PSsë lidhur me interesin e drejtëpërdrejtë që sipas tyre ajo ka në truallin ku ndodhet sot selia e Partisë Demokratike, që pritet të zhvendosen në ambjentet e SHQUP-it.

/Gazeta Shqiptare/