Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar sot një mesazh nga qelia, në ditën që shënon dy muaj nga ndalimi i tij.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan se ndodhet ende i burgosur pa një akuzë konkrete dhe pa një përballje gjyqësore.
Teksa ka falenderuar të gjitha ata që kanë mbështetur familjen e tij në këtë periudhë, Veliaj tha se qëndron i burgosur ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston.
“Të dashur miq,
Sot mbushen 2 muaj nga burgimi im pa gjyq – larg familjes, gruas, djalit të vogël dhe nënës. Por, edhe larg punës në bashki e fushatës, dy pasioneve të jetës sime.
Doja vetëm t’ju falenderoja për mirësinë e mbështetjen ndaj Kait dhe Ajolës, si dhe dy nënave tona – 3 gra pa burrat e tyre, por me kurajo e dinjitet falë jush që u jeni gjendur pranë!
Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar. Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri.
Ndaj, meqë më janë ndaluar opinionet mbi këtë proces grotesk, atyre që i janë gjendur familjes sime, iu them nga zemra “Faleminderit”!
Nuk do t’ua harroj kurrë!
Bekime dhe mall për ju të gjithë”, shkruan Veliaj.