Dy sportistët e Teutës, Marjus Malko dhe Endri Avdyli janë fituesit e Kampionatit Kombëtar të Mundjes, organizuar nga Federata Shqiptare e Mundjes nën drejtimin e presidentit të Federatës, Sahit Prizreni, Sekretarit të përgjithshëm Isa Merkja dhe Komitetit Drejtues.

Nën udhëheqjen e trajnerit Sinan Trimi, sportistët e Teutës, rrëmbyen vendin e parë, respektivisht Marjus Malko kampion kombëtar për peshën 92 kg, dhe Endri Avdyli në peshë 61 kg, në mundje të lirë.

Për “DurrësLajm” fituesit e kompeticionit kanë ndarë emocionet e para.

Ndihemi të gëzuar, por prapë nuk jemi në atë nivel që duam. Duhet të punojmë më fortë, si ne, ashtu edhe grupmoshat e tjera. Synimi jonë tani janë kampionatet ndërkombëtare ballkanike dhe ato evropiane”, shprehen kampionët.

Kampionati Kombëtar i Mundjes që mbahet çdo vit është organizuar kësaj rradhe në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë.

Në kampionat morën pjesë rreth 100 sportistë, që përfaqësonin ekipe të ndryshme, përfshirë ekipin e Tiranës, Besëlidhjes, Studentit, Korabit apo Flamurtarit.

Por, sportistët e talentuar të qytetit, u kujdesën të sillnin dy kupa në shtëpi…

H.H.