Bashkisë së Durrësit i shtohen edhe dy nënkryetarë të tjerë, duke plotësuar kështu të gjitha ngjyrat e spektrit politik të koalicionit qeverisës, ndërkohë që sinjalizon edhe fokusimin gjithnjë në rritje drejt zgjedhjeve të ardhshme kuvendore. Kryebashkiaku Vangjush Dako, dy nënkryetarëve aktualë, të cilët përfaqësojnë edhe Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, u ka shtuar edhe përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Frymës së Re Demokratike, respektivisht Ilir Xhanin dhe Sami Gjergjin.

Një lëvizje e tillë, sa i përket këndvështrimit administrativ, ishte e pritshme, pasi zgjerimi i territorit të Bashkisë së Durrësit, pas ndarjes së re territoriale-administrative, ka sjellë më tepër sfida dhe probleme për njësitë vendore. Ndërkohë, marrëveshjet parazgjedhore mes forcave politike të koalicionit qeverisës ishin ato që kushtëzuan prejardhjen politike të të emëruarve të rinj.

Por, çdo medalje ka dy anë, dhe padyshim që ky është edhe rasti që secila forcë politike të përpiqet për të rritur kapitalin e vet elektoral. Në rastin e Bashkisë së Durrësit, duket qartë tashmë se PDIU ka hyrë në rrugën e reformimit të imazhit të saj, për t’u shndërruar nga një “parti çame” në një parti që pjesë të programit të saj ka edhe zgjidhjen e çeshtjes çame. Ilir Xhani është dëshmi e kësaj përpjekje të PDIU për t’u përballur me sfidën e vet më të madhe dhe për t’u bërë që forcë politike gjithëpërfshirëse dhe gjithëpërfaqësuese.

PDIU, parti që mbron jo vetëm kauzën çame

Këtë reformim në vazhdim të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e sqaron më së miri edhe vetë Ilir Xhani, që sapo është emëruar në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Durrësit. Ai menjëherë kërkon të sqarojë “gabimin” në perceptimin publik të PDIU. “PDIU është një forcë politike që mbron kauzën çame dhe kjo gjë i bën nder forcës sonë politike, – thotë Xhani. – Por, kjo nuk do të thotë se PDIU është parti çame. Në fakt, është shumë më tepër se sa kaq.”

Xhani thotë se PDIU, në programin e saj, mbron kauzën kombëtare, ku bën pjesë si kauza çame, ashtu edhe sfida të tjera me të cilat përballet kombi shqiptar. “PDIU mbron kauzën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, siç mbron edhe kauza të tjera, – nënvizon Xhani. – Për këtë arsye edhe unë e gjej veten shumë mirë në këtë forcë politike.”

Xhani: Do të jap më të mirën në detyrën e ngarkuar

Ilir Xhani është një njeri, që suksesin e tij në fushën e sipërmarrjes si administrator i Ixhem shpk në fushën e ndërtimit synon ta sjellë edhe në administratën publike, në Bashkinë e Durrësit. Ai thotë se “nuk më mungon aspak eksperienca për të dhënë më të mirën në detyrën e ngarkuar.”

Sa i përket forcës politike që ai përfaqëson, Ilir Xhani thotë se emërimi në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Durrësit “është arritje për Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.” Por, ai shton se është edhe sfidë. “Detyra është sfidë si për PDIU, ashtu edhe për mua, – thotë Xhani, – por jam i sigurtë se do ta kapërcejmë atë.”

Në të vërtetë, pikërisht dëshira e tij për të kontribuar sa më tepër dhe sa më mirë për qytetin e tij e bëri Ilir Xhanin që, vite më parë, t’i bashkohet politikës. Atë që ai ka mësuar në sipërmarrje tashmë ka vendosur ta vërë në shërbim të komunitetit.