Kohë ofertash te Vllaznia. Madje, përveç ofertave që kanë marrë disa nga futbollistët e saj, tashmë “në treg” duket se është edhe një pjesëtar i stafit të saj. Bëhet fjalë për drejtorin sportiv, Eugent Zeka. Vetë ai ka bërë të ditur sot se ka marrë oferta nga dy klube të Superligës Shqiptare, por nga ana tjetër nuk ka saktësuar nëse e duan për postin e drejtorit apo atë të trajnerit.
“Janë dy oferta që kanë ardhur në adresën time. Njëra po ju them se vjen nga një klub i një qyteti afër detit”, ka deklaruar ai. I ngacmuar nëse kjo ofertë vinte nga Flamurtari apo Teuta, dy skuadra të dy qyteteve bregdetare, Zeka ka pranuar se bëhet fjalë për kontakte me drejtuesit durrsakë.
Sa i takon ofertës tjetër, ai nuk ka patur dëshirë ta bëjë publike. Tashmë duhet parë se çfarë do të ndodhë, nëse vërtet ai do të largohet apo jo nga Shkodra. Zeka erdhi nga Italia në fillimin e sezonit që sapo u mbyll, duke zënë vendin e Armir Grimës në postin e drejtorit sportiv tek KF Vllaznia dhe natyrisht që dora e tij është ndjerë, sidomos në ecurinë e ekipeve të akademisë, por edhe tek ekipi B, pa mohuar edhe mbështetjen e madhe që i ka dhënë trajnerit Cungu tek ekipi i parë. Ende nuk është e qartë nëse ai ka dëshirë të largohet apo jo nga qyteti i tij i lindjes pas marrjes së këtyre dy ofertave, apo do të vazhdojë projektin e tij tek kuqeblutë.