Dy operacione janë finalizuar me sukses nga ana e policisë së Durrësit, e cila ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme nafte dhe medikamentesh kontrabandë, ndërsa në pranga kanë rënë dy persona.
Në vijim të punës së tyre për goditjen e informalitetit, Specialistët e Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar kanë finalizuar me sukses 2 operacionet e koduara “Farmacia”dhe “Gomisti”, në kuadër të të cilave u arrestuan:
• G.Mato, 45 vjeç, banues në Durrës;
• I. Tafa, 46 vjeç, banues në Durrës.
Më datë 18.05.2017, në lagjen nr.13, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e farmacisë së shtetasit G.Mato, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 99 lloje medikamentesh me një vlerë 400 000 lekë, të cilat nuk kishin pullat fiskale të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore Tiranë.
Ndërsa në lagjen nr.3, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku shtetasi I.Tafa punonte si gomist, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 220 litra naftë e pa markuar në masën 90%, e cila është kontrabandë.
Ndaj farmacistit rëndojnë akuzat “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, ndërsa ndaj gomistit “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.





