Teuta nuk ia doli dot të fitonte as ndaj Laçit në shtëpi, teksa përballja me kurbinasit u mbyll në barazim 1-1. Për trajnerin Magani ky rezultat nuk konsiderohet një pikë kthese. Në janar priten ndërhyrje të shumta, kryesisht në repartin e mbrojtjes, pasi durrsakët kanë pësuar këtë sezon 17 gola në 9 ndeshje, një shifër kjo mjaft e lartë.
Ndaj Laçit në fushë u panë edhe dy lojtarë të rinj. Nga minuta e parë u aktivizua mesfushori Reza Karimi, i huazuar nga Skënderbeu, i cili dha shenja të mira dhe në vijim do e ndihmojë skuadrën në manovrën sulmuese. Gjithashtu u aktivizua edhe Tarik Çmajçanin, që vjet u aktivizua rregullisht, por një dëmtim në muskujt e barkut e penalizoi, por tani është në rregull dhe ndaj Laçit luajti për më shumë se 15 minuta. Për Maganin tashmë ka dy alternativa më shumë për pjesën e mbetur të sezonit.





