Policia e Durrësit ka kapur 2 persona të shpallur në kërkim kombëtar, ndërsa janë arrestuar në flagrancë edhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
U ndaluan shtetasit në kërkim:
Y. U., 47 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
S. P., 25 vjeçe, banuese në Durrës, pasi Gjykata e Apelit Durrës e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. D., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.56 mg/l dhe gjatë manovrës për të kthyer mjetin e tij, ka goditur në pjesën e pasme automjetin e Policisë, i cili ishte i parkuar.
I. D., 22 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi.
Edhe specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin e dhunës në familje, arrestuan në flagrancë K. C., 27 vjeç, banues në Krujë. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës dhe motrës së tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një përforcues grushti.





