Dy persona që vuajnë dënimin në “Burgun 313” në Tiranë kanë tentuar të arratisen.

Sipas të dhënave, ata kanë shfrytëzuar momentin e ajrosjes dhe më pas kanë tentuar të hidhen përmes çarçafëve në shesh pushimin e hyrjes së administratës.

Bëhet me dije se të burgosurit që kanë tentuar arratisjen janë Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri.

Çekaj është dënuar me vendim të formës së prerë disa javë më parë, për trafikimin e 613 kilogramë kokainë, që u kapën në Durrës.

Fatmir Pjetri është anëtar i të ashtuquajturës Banda e Babagjyshëve, u ekstradua nga Franca pak kohë më parë. Pjetri është i dënuar për një sërë grabitjesh me 30 vite burg.

Mësohet se dy personat nuk kanë mundur të largohen, pasi janë kapur dhe janë rikthyer në qeli.