Të ndarë nga jeta pak kohë më parë, por “Gjithnjë pranë nesh” në zemrat tona. Ky ishte mesazhi që Unioni i Gazetarëve në Durrës u përcolli familjarëve të dy figurave të njohura të qytetit, gazetarit Thanas Mustaqi dhe operatorit Tristan Sherifi në ceremoninë e veçantë të mbajtur pasditen e së premtes.
Mes autoriteteve më të larta vendore, personaliteteve të artit e kulturës, miqve e kolegëve të Mustaqit dhe Sherifit, shumë nga ata që i njohën nga afër rrëfyen mbresat e tyre për këto dy figura të nderuara që shumëçka i kanë dhënë qytetit.
Thanas Mustaqi dhe Tristan Sherifi u nderuan në këtë ceremoni nga bashkia Durrës me titullin “Mirënjohja e Qytetit” (Pas Vdekjes) për punën, përkushtimin dhe kontributin e tyre për qytetin.


Në fjalën e rastit, kryebashkiakja Emiriana Sako vlerësoi lart përkushtimin e Mustaqit dhe Sherifit përgjatë gjithë viteve të karrierës së tyre në gazetari.
Qytetarë të mirë dhe profesionistë të zotë Mustaqi dhe Sherifi e fituan me punën e tyre respektin dhe nderimin e Durrësit dhe qytetarëve të tij. Lotët e dhimbjes në sytë e familjarëve ishin njëherazi lot krenarie për atë çka këto dy personalitete të nderuara lanë pas.
M.B.





