DURRES, 30 mars 2013 – Dy peshkatarët Gëzim Bashllari si dhe Fatmir Ismaili, sapo kanë dalë nga policia rrëfejnë çastet e tmerrit që kanë përjetuar në det të hapur, pasi iu është çarë gomonia me të cilën kishin dalë për të peshkuar.
Në një prononcim për mediat ata tregojnë se rrymat detare i kanë çuar në det të hapur dhe e kishin të pamundur për t'u kthyer në breg.
Të rinjtë kanë pohuar se kanë parë patrullimin e helikopterëve po këta të fundit nuk i kanë pikasur kjo edhe për shkak të detit të dallgëzuar.
Ata pohojnë se kanë qenë orë të vështira të qëndrimit në det. Ndjeheshin mjaft të lodhur dhe të frikësuar nga ajo çfarë iu kishte ndodhur, për shkak se rrezikonin dhe jetën.
Peshkatarët kanë treguan se ishte një situatë shumë e rrezikshme pasi kanë qenë pa ngrënë dhe të paushqyer teksa i duhet të ‘luftonin’ me dallgët e detit.
Rrëfehet Fatmir Ismailaj
“I pamë helikopterët po ishin larg, nuk na panë se kishte det dhe rrymë. Varka na tërhoqi. Problemi i parë nuk di kur u shfaq, por errësirë ka qenë. E kishim shumë të vështirë, deti kishte rrymë, na merrte dhe na çonte më tutje, mundoheshim me duar për t'i dhënë por nuk afroheshim dot. Kur na gjeti kroçera ishim gati në vdekje se nuk po qëndronim dot më, pa ujë, pa bukë pa gjë prej gjëje. Natën e kaluam me të keq”,- tregon Fatmir Ismailaj.
Rrëfehet Gëzim Bashllari
“E përjetuam si mos me keq, falenderojmë shtetin. Shihnim lëvizjet, helikopterin por nuk kishim mundësi t'i thonim të vinin të na gjenin, se na spostonte rryma. Nuk kishte valë telefoni ndaj nuk flisnim më, unë rashë dhe në ujë dhe u lag telefoni. Kur u ca varka kemi ndenjur të dy në një pjesë të vogël. Në mëngjes e pamë tragetin e madh, i folëm deri sa na panë dhe u kthyen. Jemi lodhur, por shyqyr që shpëtuam”,- kujton Gëzim Bashllari.
Ndërkohë famijarët e peshkatarëve janë shprehur të lumtur për gjetjen e të afërmeve të tyre, duke falenderuar strukturat shtetërore për angazhimin në drejtim të operacionit të kërkim shpërtimit.
Dy peshkatarët pasi janë marrë në pyetje nga ana e policisë së Durrësit për plot 4 orë, mbi ngjarjen e ndodhur, janë lejuar të largohen drejt Vlorës.
/m.l. Agjensia e Lajmeve "Dyrrah"/





