Sekretarja për Marrëdhëniet me publikun në PD, Jola Hysaj ka reaguar sërish për situatën në të cilën ndodhet qyteti i Durrësit.

Në një reagim në “Facebook”, Hysaj ka ripublikuar në faqen e saj lajmin e “DurrësLajm” se si është planifikuar të duket “Parku Urban” në Spitallë, dhe me ironi shkruan se ky është Durrësi imagjinar 3D i Sakos në periudhë fushate, përballë realitetit të betonit.

“Në Durrësin e Sakos veprat 3D po bëjnë namin, në Durrësin tonë nuk ka infrastrukturë, nuk ka gjelbërim, 2 pika shi na përmbytin, qytetarët tanë janë pa çati mbi kokë pas tërmetit, sepse veprat madhore 3D të strehimit ende nuk kanë përfunduar…”, shkruan Hysaj.

REAGIMI I HYSAJT

Durrësi 3D i Emiriana Sakos përballë realitetit të betonit!

Pasi tenderoi mijëra pemë për të gjelbëruar Durrësin, para u shpenzuan por pemët nuk janë askund, pak ditë para zgjedhjeve Sako nis shfaqjen e “Durrësit tjetër”, Durrësi imagjinar i Sakos dhe Ramës që transformohet në 3D e reklama fushate.

Pas suksesit të Erjon Veliajt me “Pyllin Orbital”, Emiriana Sako prezanton “Parkun Urban” në Spitallë!

Në Durrësin e Sakos veprat 3D po bëjnë namin, në Durrësin tonë nuk ka infrastrukturë, nuk ka gjelbërim, 2 pika shi na përmbytin, qytetarët tanë janë pa çati mbi kokë pas tërmetit, sepse veprat madhore 3D të strehimit ende nuk kanë përfunduar…

Unë shoh Durrësin që ka nevojë për shërbime, punësim, fshatrat janë shkretur… pastaj shoh 3D e Sakos dhe më dhimbsen paratë tona, taksat tona, koha që kemi humbur!

Më 14 maj, shikojeni Durrësin me sytë tuaj, më pas votoni! Mos u gënjeni me pyjet e krimit 3D!