Shëngjin, 15 gusht 2014 – Dy persona janë mbytur në harkun e dy orëve në plazhin e Patokut dhe në Shëngjin, ndërsa tre të tjerë në Divjakë fatmirësisht janë shpëtuar.
Rreth mesditës, një vajzë 7-vjeçare nga Pogradeci ka humbur jetën teksa lahej në det. Ndonëse Sara Hoxhallari ka qenë e shoqëruar nga prindërit, nuk ka mundur të shpëtojë. Shkak për mbytjen e të miturës duket se ka qenë deti i trazuar dhe me dallgë.
Vogëlushja i ka shpëtuar për një çast vëmendjes së prindërve duke u përfshirë nga dallgët. Ndonëse pushuesit janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë, 7-vjeçarja nuk ka mundur të shpëtojë.
Ndërkohë, në bregdetin e Shëngjinit është mbytur një shtetas kosovar nga Ferizaj, i cili ndodhej për pushime. 46-vjeçari Bekim Gana ka marrë ndihmën e parë mjekësore, por çdo gjë ka rezultuar e kotë. Edhe në Shëngjin, deti i trazuar është bërë shkak për mbytjen e 46-vjeçarit.
Po ashtu, në Divjakë, kanë qënë në rrezik për t’u mbytur dhe fatmirësisht janë shpëtuar nga Policia kufitare, Glendi Rrudhja 28 vjeç, Mariola Laska, 24 vjeçe në Divjakë si dhe një 43 vjeçar nga fshati Konjat.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





