Një ngjarje tragjike është regjistruar sot në Mascalucia, në rajonin e Katanjës, Itali.

Një vogëlush, vetëm 1 vjeç e gjysëm, ka gjetur vdekjen, pasi është kafshuar nga dy qentë e shtëpisë, të cilët kafshuan në krah edhe nënën e fëmijës, e cila tentoi ta shpëtonte të voglin.

Mësohet se nëna e fëmijës po hetohet nga policia, pasi në momentin kur i mituri është sulmuar nga qentë, ai ishte i vetëm në oborrin e vilës.

Vogëlushi po luante së bashku me dy qentë në pishinën plastike në oborrin e vilës, kur u kafshua në qafë dhe në kraharor nga dy kafshët shtëpiake.

E ëma e djalit shkoi në ndihmë të të birit vetëm pas ulërimave të lëshuara nga një fqinjë aty pranë.

Kur arriti t’i mbyllte brenda në shtëpi dy qentë, nuk mund të bëhej më asgjë për vogëlushin që ishte mbuluar nga gjaku.

Megjithëse u dërgua me helikopter në spital, mjekët nuk qenë në gjendje të bënin asgjë për të miturin.

Nuk dihet ende çfarë shkaktoi reagimin e dhunshëm të qenve, 3 dhe 8 vjeç, të cilët vaksinoheshin rregullisht dhe ishin të pajisur me mikroçip.