15nëntor 2015 – Ikin për herë të dytë nga shtëpia dy vajza minorene nga Korça. Sipas burimeve zyrtare të policisë bëhet me dije se dy vajzat e zhdukura janë E.D, 14 vjeçe dhe K.Z, 15 vjeçe, shoqe me njëra-tjetrën në shkollën “Pandeli Cale”.
Dy nxënëset janë parë për herë të fundit në zonën pranë stadiumit të Korçës, ditën e martë dhe se prej asaj dite, familjarët nuk dinë asgjë për fatin e dy adoleshenteve, shkruan Shekulli. Sipas familjarëve të vajzave, të cilët kanë lënë në polici edhe pretendimet e tyre bëhet me dije se dy vajzat janë rrëmbyer dhe janë hipur në një automjet tip “Golf 3” ngjyrë blu, e më pas nuk janë parë më.
Edhe pse kanë kaluar tri ditë, që pas denoncimit të bërë në polici për zhdukjen e vajzave, ende nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre. Sipas të afërmve, makina në të cilën dyshohet se kanë hipur dy minorenet është parë të qarkullojë disa herë në Korçë, në zonën e Radanecit.
Ndërkohë dyshimet e tyre janë për një trafikim të mundshëm, ndonëse dy vajzat nuk është hera e parë që ikin nga shtëpia. Sipas familjarëve të vajzave, mendohet se kontaktet e para të rrëmbyesve me vajzat janë vënë përmes rrjetit social “Facebook”, pasi deri më tani ata nuk kanë vërejtur kontakte telefonike apo vonesa të tjera të vajzave, pasi ktheheshin nga shkolla apo atletika, me të cilën ushtroheshin çdo ditë. Ato u larguan nga shtëpia edhe në maj të këtij viti, por u gjetën pa asnjë problem disa ditë më vonë dhe deklaruan se kishin ikur për qejf.
/portali DurresLajm/