Mal i zi, 1 qershor 2014 – Dy shqiptarë, një burrë dhe një grua e re janë gjetur të vdekur në Ulqin (Mali i Zi), natën duke gdhirë dita e diel, raporton noa.al, duke cituar burime zyrtare të policisë lokale.
Viktimat janë Aldiana Ceka 27 vjeçe dhe Mark Dukagjini 48 vjeç. Të ndjerët u gjetën të vrarë. “Një nga viktimat Mark Dukagjini është vëllai i Nikollë Dukagjinit, pronarit të marketit, si dhe punonjësja e këtij marketi, Aldiana Ceka”, – bëjnë të ditur të njëjtat burime.
Aldiana, nënë e dy fëmijëve, u gjet me plagë fatale të dy plumbave në kokë, kurse Marku kishte marrë një plumb në gojë.
Dyshimet janë se kemi të bëjmë me vrasjen e vajzës dhe më pas vetëvrasjen e autorit. Por hetime po kryhen edhe për përfshirje të një personi të tretë në këtë vdekje të dyfishtë. Pranë Markut u gjet një armë zjarri tip pistoletë me të cilën ishte bërë qitja.
Prokuroria ka urdhëruar që kufomat e dy viktimave të dërgohen për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërkohë që pritet që regjistrimet filmike nga kamerat e sigurisë të ndihmojnë shumë për të zbardhur rastin e rëndë.
"Drejtoria e policisë ka deklaruar që në bazë të aktiviteteve të ndërmarra të prokurorisë dhe policisë dyshohet se Mark Dukagjini (48) me përdorimin e armës së zjarrit ka vrarë Aldiana Cekën (27) dhe pastaj ka kryer vetëvrasje. Pistoleta, sendet dhe gjurmët janë marrë nga vendngjarja dhe janë dërguar në Laboratorin kriminalistik për ekzaminim të mëtejshëm", – tha zyrtarisht policia lokale.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm punëtorët e kësaj qendre tregtare por edhe Ulqinin i njohur si qytet shumë i qetë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





