Kapet sërish drogë me gomone në ujërat e Adriatikut, që po transportohej nga Shqipëria drejt Italisë.
Roja bregdetare aero-detare e qytetit të Barit, në bashkëpunim me atë të Tarantos, kanë sekuestruar në ujërat italiane të provincës së Salentos, një gomone me 80 kg marijuanë në bord si dhe kanë arrestuar dy skafistë shqiptarë, T.V. 18 vjeç dhe K.B. 46 vjeç.
Sipas medieve italiane, ngjarja i referohet ditës së diel dhe skafistët janë të dy nga qyteti i Durrësit.
Rojet bregdetare kanë identifikuar një gomone të gjatë 5 metra e cila po udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë me disa pako të dyshimta në bord. Sapo kanë nuhatur ndjekjen nga ana e skafeve të policisë financiare italiane, dy trafikantët nuk e kanë braktisur në det lëndën narkotike, siç ndodh zakonisht në situata të tilla, por kanë tentuar t’i shmangen forcave italiane të rendit duke kryer disa manovra të rrezikshme.
Pas një ndjekjeje për disa minuta, policia ka mundur t’i bllokojë, duke i arrestuar menjëherë dy skafistët nga Durrësi.
Marijuana ishte e ndarë në 11 pako dhe vlera e saj po të dilte në treg do të ishte rreth 700 mijë euro.





