Një sukses i ri për boksin durrsak. Në datat 4-6 maj është zhvilluar Kampionati Kombëtar U16, në të cilin ekipi i boksit “Teuta” është përfaqësuar nga 13 boksierë, të stërvitur nga trajnerët Jani Nano dhe Enton Kikrri.
Megjithëse në moshë të re, pjesëtarët e ekipit durrsak janë përfaqësuar denjësisht duke u nderuar me çertifikata, ndërkohë që njëri nga boksierët Xhuliano Bejko u shpall boksieri më luftarak i turneut.
Njëri nga dy trajnerët e ekipit, Enton Kikrri bën të ditur për DurrësLajm emrat e boksierëve të rinj që spikatën më tepër në kampionatin U16, ku morën pjesë 11 ekipe.
Orgito Llaha, pesha 54 kg;
Xhuljano Bejko, pesha 57 kg;
Patriot Luzaj, pesha 60 kg;
Rronaldo Teta, pesha 63 kg;
Denis Shasivari, pesha 66 kg;
Andrea Kola, pesha 80 kg
Arbi Haxhiu, pesha 80+
Ndërkohë, arritje tjetër për boksin durrsak është triumfi i boksierit të njohur durrsak Ardit Murja në turneun ndërkombëtar që zhvillohet çdo vit në qytetin e Shkodrës.
Boksieri Murja shkëlqeu mes boksierëve që vinin nga 4 vende pjesëmarrëse: Shqipëri, Maqedoni, Mal i zi dhe Kosovë.
Murja ka triumfuar duke mundur në raundin e dytë me KO boksierin nga Kosova, ndërkohë që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Mesdhetare që zhvillohen në Spanjë në fund të muajit qershor.
Trajneri Kikrri shpreh bindjen e tij se edhe në eventin e ardhshëm të boksit ndërkombëtar Murja do të fitojë medalje.





