Shpesh herë ka ankesa se tregu vendas i lojtarëve është i varfër dhe në fakt, çka sjell edhe rritje artificiale të pagesave për shumë lojtarë. Gjithsesi askush nuk i detyron drejtuesit e klubeve të nënshkruajnë kontrata të majme.
Kur nuk ke guxim të përfshish të rinj, atëherë do duhet të paguash. Në vend nuk është se nuk po dalin futbollistë, pasi numri i të rinjve që po spikasin po vjen në rritje, ndërkohë ka edhe nga ata që ikin jashtë.
Agim Zeka vjet në janar kaloi te Lila në Francë, ndërsa këtë verë ishte Kleis Bozhanaj që u bë pjesë e Empolit në Itali pasi spikati me Internacional Tiranën.
Po nga kjo akademi kaloi te Leganes Kleandro Lleshi, ndërsa më parë me spanjollët ishte bashkuar edhe Elvi Berisha i Tiranës.
Tashmë janë dhe dy futbollistë të tjerë të rinj që po tentojnë kalimin jashtë vendit. Aldis Nikaj nga moshat e Partizanit dhe Aldo Selenica nga Tirana, po i nënshtrohen një testi te PSG.





